Lidhje

Kalendari Historik 26 gusht - 2002-08-26


Më 26 gusht 1916, Kongresi Amerikan dekretoi krijimin e Shërbimit Kombëtar të Parqeve për të mbrojtur zonat e të posaçme dhe objektet me rëndësi historike në Shtetet e Bashkuara. Agjencia e re federale punësoi 50 punonjës për të ruajtur parqet, monumentet, dhe objektet me rëndësi historike, përfshirë Parkun e parë kombëtar në botë, Yellowstone. Sot, Shërbimi Kombëtar i Parqeve ka mijëra punonjës dhe ruan qindra objekte dhe territore me një sipërfaqe prej afro 33 milion hektarësh. Këtu përfshihen një shumëllojshëri territoresh dhe objektesh, nga Tokat Kënetore Everglades në shtetin Florida, e deri tek Mali i Ngrirë McKinley në Alaskë, mali më i lartë në Amerikën e Veriut. Objektet nën mbrojtjen e kësaj agjencie përfshijnë Shtëpinë e Bardhë, Statujën e Lirisë, si dhe kanione, shkretëtira, brigje dhe sisteme të ndryshme lumenjsh.

Më 26 gusht të vitit 1873 lindi fizikani amerikan Lee De Forest, i njohur si ”Babai i Radios,”. Trioda që ai shpiku në vitin 1906, njihet si arritja më e rëndësishme në fushën e elektronikës deri në atë kohë. Afësia e madhe e triodës për të kapur dhe amplifikuar sinjalet e radios, si dhe për të gjeneruar sasi të kontrolluara energjie, u bë bazë për zhvillimin e shpejtë të elektronikës dhe industrisë së komunikacionit. De Forest shpiku gjithashtu komponentët elektronikë që ishin me rëndësi kritike në zhvillimin e telefonave, transmetuesve me valë të shkurtra, fonografëve, filmave me zë dhe më pas të radarëve dhe televizorit.

XS
SM
MD
LG