Lidhje

Një gazetare dëshmon në Hagë - 2002-08-27


Një gazetare e radios britanike BBC shkëmbeu polemika me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviç në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë, mbi variantin e saj për vdekjen e të burgosurve shqiptarë gjatë konfliktit në Kosovë.

Ish-korrespondentja e BBC-së në Beograd, Jacky Rowland, dëshmoi sot mbi vizitat e saj në burgun e Dubravës në vitin 1999, ku kishte parë trupat e shqiptarëve. Ajo shprehu dyshime që të gjitha viktimat të ishin vrarë nga bombardimet e NATO-s, siç kishte thënë në atë kohë qeveria e Millosheviçit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të zoti Millosheviç që mbron veten në gjyq, zonja Rowland tha se nga gjendja në të cilën ishin trupat, kur i kishte parë ajo, mund të thoshte se ata nuk ishin vrarë nga bombat.

Dje, një ish-i burgosur në atë burg dëshmoi se rojat kishin qëlluar me mitraloz dhe kishin përdorur granata, duke vrarë të paktën 153 të burgosur, pak pasi nga një sulm ajror, ishte goditur burgu.

Po sot, kryegjyqtari Richard May tha se zoti Millosheviç duhet të pushojë katër ditë rresht, çdo dy javë seancash gjatë procesit kundër tij. Gjyqtari tha se gjykata po ndjek këshillën e mjekëve të ish-presidentit jugosllav, që kanë paralajmëruar se ai rrezikohet seriozisht nga një infarkt në zemër.

XS
SM
MD
LG