Lidhje

Zjarr dhe eksplozivë në selitë e dy partive shqiptare në Maqedoni - 2002-08-28


Persona të paidentifikuar i vunë zjarrin zyrave të PDK-së në lagjen Çair të Shkupit, gjatë natës së mbrëmshme, duke shkaktuar dëme materiale, por jo viktima në njerëz ndërkohë që sot herët në mëngjes, persona të paidentifikuar, hodhën një bombë dore të prodhimit jugosllav pranë zyrave të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, po ashtu duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Zëdhënësi i ministrisë së brendshme të Maqedonisë, Vojisllav Zafirovski, tha sot se shënjestra e sulmit nuk kishte qenë selia e partisë së zotit Ahmeti.

Nënkryetari I PDK-së Ragip Doci, akuzoi për incidentin, ata që nuk dëshirojnë zgjedhje të qeta dhe të rregullta në Maqedoni ndërsa Halil Palloshi, anëtar I kryesisë qendrore të BDI-së, tha se një parti konservatore maqedonase, MAAK kishte kërcënuar më parë se do ta digjte ndërtesën. Deri tani, askush nuk e ka marrë përsipër incidentin dhe policia nuk ka ngritur aktpadi ndaj askujt.

Po sot, zëdhënësi I NATO-s, majori amerikan Kreg Redklif, tha në Kumanovë se misioni i NATO-s në Maqedoni nuk beson se ekzistojnë kërcënime të vërteta për sigurinë e vendit.

Incidentet e ditëve të fundit në Maqedoni u dënuan sot edhe nga drejtori i Zyres per Evropën juglindore në Departamentin e Shtetit, Paul Jones, dhe ambasadori amerikan në Shkup, Lawrence Butler.

Zoti Jones, që u takua sot në Tetovë me kryetarin e PDSH-së, Arbër Xhaferri, theksoi se këto akte dhunë, përfshirë edhe vrasjen e dy policëve maqedonas në Gostivar, janë akte kriminale, dhe nënvizoi se autorët e tyre duhet të sillen para drejtësisë.

Zoti Jones tha se qytetarët duhet të votojnë më 15 shtator dhe pjesëmarrja në votime do të jetë në të mirën e Maqedonisë.

Ambasadori amerikan në Shkup, Lawrence Butler, theksoi se vrasja e dy policëve maqedonas është e pajustifikueshme. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithcka të mundur për të ndihmuar agjencitë maqedonase për t’i çuar këta persona para drejtësisë.

Kryetari I PDSH-së, Arbër Xhaferri, theksoi se çdo tentativë për destabilizimin e Maqedonisë shkon kundër interesave të shqiptarëve dhe i dënoi të gjitha rastet e dhunës. Zoti Xhaferri theksoi se zgjedhjet e 15 shtatorit do të vendosin se cila parti do të ketë mandatin për të qeverisur fatin e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG