Lidhje

Jones: jo  arrestime para zgjedhjeve në Maqedoni - 2002-08-29


Drejtori i zyrës së Departamentit amerikan të Shtetit për Evropën Jugolindore Paul Jones së bashku me ambasadorin amerikan Lawrence Butler u takuan me presidentin maqedonas Boris Trajkovski me të cilën kanë biseduar në lidhje me situatën e përgjithshme para zgjedhjeve të shtatorit por dhe për çështjen e fletëarrestit kundër zotit Ali Ahmeti, kryetar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zoti Jones tha se pajtohet me qëndrimin që është marrë për të mos pasur arrestime dhe aksione në periudhën parazgjedhore që do të pengonin zgjedhjet. Ky është një konsensus i të gjithëve në qeveri dhe i partive politike, tha ai.

Ambasadori Lawrence Butler tha se i takon Gjykatës ndërkombëtare të Hagës dhe autoriteteve gjyqësore të Maqeodnisë që të merren me këto çështje.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë se zgjedhjet në Maqeodni do të jenë të qeta ashtu si edhe në pjesët e tjera të Ballkanit, se kjo do të ndihmonte Maqedoninë për aspiratat e ardhshme për t’u anëtarësuar në BE dhe Nato. Zoti Jones tha se shpreson që Maqedonia do ta kalojë testin e demokracisë.

Zotërinjtë Jones dhe Butler përsëritën qëndrimin amerikan për respektimin e marrëveshjes së Ohrit për çka janë zotuar të gjitha partitë kruyesore politike në Maqedoni. Kjo do të jetë çështja kryesore për çdo qeveri e cila do të emërohet pas zgjedhjeve, thanë ata.

Në lidhje me vrasjen e dy policëve maqedonas në Gostivar, zyrtari i lartë amerikan tha se ky është akt kriminal dhe se nuk i di motivet e atyre që qëndrojnë prapa kësaj vepre. Ai tha se shpreson që njerëzit që e kanë kryer këtë vrasje të kapen dhe të nxirren para drejtësisë.

Kurse ambasadori amerikan Butler tha shkurt se kjo ishte vrasje e shkallës së parë. Urdhër-arresti kundër zotit Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim ngjalli kritika tek zyrtarët e organizatave ndërkombëtare në vend dhe veçanërisht të partive të tjera politike shqiptare.

XS
SM
MD
LG