Lidhje

Urdhër-arresti për Ahmetin ngjall reagime - 2002-08-29


Një zyrtar i NATO-s i tha Zërit të Amerikës, se qeveria po përpiqet të nxisë njerëzit për të reaguar dhe për të bërë ndonjë marrëzi, sic tha ai.

Partitë shqiptare, opozita maqedonase dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar kritikuan ashpër sot nxjerrjen e një urdhër arresti nga ministria e brendshme e Maqedonisë kundër ish-përfaqësuesit politik të UCK-së, Ali Ahmeti, tani kryetar I partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.

Partia Demokratike Shqiptare e kryesuar nga Arbër Xhaferri, theksoi se zoti Ahmeti dhe të gjithë ish-luftëtarët janë të amnistuar dhe me rastet e krimeve të luftës, merret gjykata e Hagës.

Një zyrtar i lartë i kësaj partie, Iljaz Halimi, nënkryetar i parlamentit, i tha Zërit të Amerikës, se kjo vetëm do të keqësojë gjendjen politike dhe të sigurisë dhe nuk përjashtohet mundësia që të arrihet deri tek një konflikt. Zoti Halimi theksoi se kjo ndikon në fushatën zgjedhore të partisë së zotit Ahmeti, dhe shtoi se kjo mund të jetë edhe një lojë parazgjedhore. Zyrtari i lartë i PDSH-së, komentoi gjithashtu veprimin e sotëm të policisë, e cila me mjete të blinduara dhe policë të maskuar hoqi flamujt shqiptarë nga dy rrugë të Tetovës, duke thënë se flamujt do të vihen përsëri nga shqiptarët dhe do të ruhen për të mos u hequr më nga policia.

Partia për Prosperitet Demokratik e Abdurrahman Halitit tha se urdhër arresti për zotin Ahmeti është një ide e marrë që lëshohet për një udhëheqës partie në kulmin e fushatës zgjedhore.

Zëdhënësi i kësaj partie, Zahir Bekteshi i tha Zërit të Amerikës, se ata që e bëjnë këtë nuk synojnë vendosjen e rendit dhe stabilitetit, por të kundërtën. Zoti Bekteshi tha se kjo mund të ndërlikojë gjendjen politike, të sigurisë dhe procesin zgjedhor.

Ndërsa Partia Demokratike Kombëtare theksoi se ministria e brendshme nuk mund të arrestojë as zotin Ahmeti dhe as ndonjë nga udhëheqësit shqiptarë. Sekretari i përgjithshëm i partisë Xhevat Ademi, tha se këto veprime e tensionojnë gjendjen dhe kërcënojnë ta keqësojnë edhe më tej atë.

Një zyrtar i lartë i opozitës maqedonase, LSDM të Branko Cërvenkovskit, po ashtu kritikoi ashpër këtë urdhër arresti ndaj zotit Ahmeti, duke e quajtur atë një veprim të marrë.

Sekretari i përgjithshëm I LSDM-së, Gjorgji Spasov, i tha Zërit të Amerikës, se kjo bëhet për të prishur zgjedhjet e 15 shtatorit. Ndërsa këshilltari i presidentit Trajkovski për siguri kombëtare, Stevo Pendarovski i tha Zërit të Amerikës, se presidenti nuk dëshiron të komentojë këtë zhvillim sepse vendi është në mes të fushatës zgjedhore dhe ai nuk dëshiron të përfshihet në debatet për këtë cështje.

Zëdhënësi i ambasadës amerikane në Shkup, Xhon Kacka, tha se nuk do të komentonte në lidhje me këtë ndërsa zyrtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian theksuan se mbështesin zbatimin e plotë të ligjit për aministi dhe të marrëveshjes së Ohrit.

Një zyrtar i NATO-s i tha Zërit të Amerikës, se qeveria po përpiqet të nxisë njerëzit për të reaguar dhe për të bërë ndonjë marrëzi, sic tha ai.

Ndërsa një zyrtare e BE-së, tha se organizata ishte e ndërgjegjshme për kërcënimin për arrestimin e zotit Ahmeti. Zyrtarja që nuk dëshironte të identifikohej i tha Zërit të Amerikës se me rastet e krimeve të luftës merret gjykata e Hagës dhe autoritetet duhet të konsultohen me të para se të ndërmarrin ndonjë veprim, si lëshimi i urdhër-arrestit për zotin Ahmeti apo dicka tjetër.

Zyrtarja e BE-së theksoi se këto veprime kanë tashmë ndikim në gjendjen në vend, se ato po kufizojnë lëvizjet dhe fushatën zgjedhore të BDI-së së zotit Ahmeti. Megjithatë ajo shtoi se nëse autoritetet do ta bëjnë këtë apo jo (arrestimin e zotit Ahmeti), kjo mbetet për t’u parë.

XS
SM
MD
LG