Lidhje

Ali Ahmeti hedh poshtë akuzat - 2002-08-29


Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, se urdhër-arresti i nxjerrë për të është një hap i ngutur i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë.

Ai shtoi se veprime të tilla bëhen nga qarqe të caktuara që nxisin situata artificiale, në prag të zgjedhjeve dhe tha se do të ishte në kompetencat e gjykatës së Hagës, të merrej me akuza për krime kundër civilëve siç është ajo e ngritur ndaj tij. Ai e quajti të papranueshme këtë akuzë, por tha se ishte i hapur para gjykatës së Hagës.

Zoti Ahmeti, ish-drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, tha se ai dhe partia e tij nuk frikësohen nga shantazhe të tilla, si urdhër-arresti për të dhe shprehu angazhimin për zgjedhje të qeta dhe të qëndrueshme.

Ai akuzoi partnerët në marrëveshjen e Ohrit, duke nënkuptuar palën e qeverisë, për mungesë serioziteti në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe kërkoi që këta partnerë të sillen me përgjegjësi, pasi ndërlikimi i situatave nuk shkon në favor të paqes të qëndrueshme.

Ai shprehu angazhimin maksimal të partisë së tij për zgjedhje të lira, pasi siç tha ai ”ato janë në shërbim të së ardhmes sonë dhe me to vendoset fati historik për ardhmërinë e Maqedonisë”.

Zoti Ahmeti tha se maqedonasit dhe shqiptarët janë të gatshëm të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin.

XS
SM
MD
LG