Lidhje

Itali: një çift shqiptar akuzohet për trafikim fëmijësh - 2002-08-29


Policia italiane arrestoi një çift shqiptar që akuzohet se ka futur kontrabandë në Itali 36 të mitur. Autoritetet italiane dyshojnë se çifti mund të jetë pjesë e një rrjeti për trafikimin e fëmijëve që vepron midis Italisë dhe Shqipërisë. Çifti shqiptar bënte në Itali një jetë normale që nga viti 1991 dhe kishte leje të rregullta pune. Por gjatë vitit të kaluar, ata shkuan në Shqipëri 16 herë. Policia thotë se çdo herë që ktheheshin në Itali, ata sillnin me vete të mitur të cilët i fusnin kontrabandë, duke përdorur dokumenta të falsifikuara të fëmijëve të tyre. Të miturit e sjellë në Itali ishin midis 8 dhe 16 vjeç. Ata udhëtonin me anije pasagjerësh nga Durrësi në Bari, por me të arritur në Itali zhdukeshin. Autoritetet italiane dyshojnë se burri, Ramiz Petalli dhe e shoqja, Xhuljeta, bëjnë pjesë në një rrjet për trafikimin e fëmijëve që vepron midis Italisë dhe Shqipërisë. Çifti u arrestua pas një hetimi që zgjati një vit. Ata po mbahen të ndaluar nën akuzat për bashkëpunim në vepër kriminale, rrëmbim fëmijësh dhe falsifikim dokumentash për hyrje në territorin italian. Hetuesit po përpiqen të sqarojnë nëse fëmijët u janë grabitur ose rrëmbyer prindërve të tyre në Shqipëri apo janë lejuar nga vetë prindërit, të shtrënguar nga varfëria ekonomike. Ata po përpiqen të sqarojnë gjithashtu se ku përfundojnë këta të mitur pasi hyjnë në Itali. Në të gjithë vendin ka filluar kërkimi i tyre, megjithëse ka shqetësime se ata mund të mos jenë më gjallë ose mund të jenë dërguar në vende të tjera. Hetuesit thonë se fëmijët mund të jenë përdorur për punë të detyruar, pornografi dhe prostitucion ose për trafik organesh. Çdo vit në Itali rezultojnë të zhdukur mbi 3 mijë fëmijë, kryesisht të huaj.

XS
SM
MD
LG