Lidhje

Rrëmbyesit deklarojnë kushtin për lirimin e pengjeve - 2002-08-30


Njëri prej rrëmbyesve të pesë pengjeve, i tha sot një televizioni maqedonas se kërkojnë lirimin e disa-ish anëtarëve të UÇK-së, në këmbim të lirimit të pengjeve. Ky person që nuk e bëri të qartë identitetin e vet dhe as atë të pengjeve tha se njerëzit e tij nuk do të rrinin duarkryq nëse policia do të zhvillonte operacion kundër tyre. Ai foli maqedonisht për radion maqedonase.

Agjensia zyrtare e lajmeve dhe një pjesë e medias maqedonase konfirmuan rreth orës 5 e 30 pasdite vonë fillimin e një aksioni të policisë maqedonase për lirimin e 5 pengjeve qytetarë maqedonas që u rrëmbyen mbrëmë në rrugën Tetovë–Gostivar nga persona të armatosur, identiteti i të cilëve nuk dihet ende.

Jozyrtarisht thuhej se operacioni po zhvillohej rreth një shtëpie në fshatin Leshnicë e Sipërme, pranë fshatit Zherovjan të Tetovës dhe se një nga rrëmbyesit është vrarë kur policia i është afruar shtëpisë.

Por rreth gjysëm ore më vonë, zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Vojsllav Zafirovski i hodhi poshtë këto njoftime duke thënë se nuk ka një operacion të tillë dhe u bëri thirrje banorëve të Tetovës dhe Gostivarit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të ndihmojnë policinë në gjetjen e rrëmbyesve.

Sipas burimeve zyrtare, 3 persona, nga të cilët dy fëmijë nga Ohri dhe një shqiptar u liruan nga rrëmbyesit, të cilët kërkojnë lirimin e disa shqiptarëve të arrestuar nga autoritetet maqedonase në lidhje me dyshimet për pjesëmarrje në vrasjen e dy policëve maqedonas.

Pengjet, një taksist maqedonas nga Tetova, dhe një person tjetër që udhëtonte me të, identiteti i të cilit nuk dihet, dy maqedonas nga Gostivari, dy maqedonas nga Ohri që udhëtonin me makinën e tyre dhe një person tjetër i paidentifikuar, u morën në një autobus pasagjerësh në rrugën Tetovë-Gostivar dhe në makina të rastit që kalonin në këtë rrugë.

Policia ka bllokuar rrugët kryesore Tetovë-Shkup dhe Tetovë-Gostivar. Ministria e brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve, vecanërisht popullsisë shqiptare, që të mos bashkohet me grupe të armatosura.

Në këtë rrugë është gjetur sot edhe trupi i një shqiptari të vrarë me armë zjarri i quajtur Agron Behani ndërkohë që një person tjetër që ka qenë bashkë me të është i plagosur.

Policia ka bërë mbrëmë edhe një numër arrestimesh të tjera në lidhje me vrasjen e dy policëve maqedonas në Gostivar.

Ndërkohë ambasada amerikane në Shkup hodhi poshtë spekullimet për mundësinë e evakuimit të personelit të saj pas keqësimit të gjendjes në Maqedoni duke thënë se nuk ka planifikuar ndonjë evakuim tani.

Ambasada amerikane theksoi se ka besim se në Maqedoni do të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme më 15 shtator.

Askush nuk ka marrë deri tani përgjegjësinë për rrëmbimin e këtyre civilëve.

XS
SM
MD
LG