Lidhje

Xhaferri paralajmëron rrezikimin e ekzistencës së Maqedonisë - 2002-08-30


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, paralajmëroi sot se incidentet e dhunshme të ditëve të fundit në Maqedoni, mund të sjellin edhe zhvillime më të rrezikshme që mund të vinin në rrezik ekzistencën e këtij shteti të brishtë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Xhaferri tha se këto dukuri e dëmtojnë tej mase paqen në Maqedoni dhe stabilitetin në këtë vend. Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare tha se nuk mund të pretendohet se në Maqedoni ka një qeverisje normale dhe koalicioni qeveritar ku bën pjesë edhe partia e tij nuk funksionon normalisht dhe për pasojë partia e tij nuk ka asnjë ndikim.

Ai shtoi se segmente të ndryshme të qeverisë synojnë të krijojnë situatë konfuze, duke përmendur kërcënimet ndaj partisë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe kreut të saj, ish-drejtorit politik të UÇK-së, Ali Ahmeti, për të cilat ai tha se e tensionojnë tej mase situatën parazgjedhore.

Qeveria maqedonase ka lëshuar një urdhër-arresti për zotin Ahmeti.

Zoti Xhaferri paralajmëroi se zhvillimet e dhunshme do t’ja merrnin legjitimitetin demokratik zgjedhjeve të 15 shtatorit.

Zoti Xhaferri kritikoi vrasjen e dy policëve maqedonas para disa ditësh dhe për rrëmbimin e djeshëm të disa personave, dhe tha se akte të tilla e dëmtojnë imazhin e shqiptarëve.

Megjithatë ai shtoi se elementë të tillë ka në çdo shoqëri dhe se ata nuk përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve. Zoti Xhaferri theksoi se demokracia e vërtetë vendoset përmes garës së ndershme.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ketë besim tek faktori shqiptar dhe tha se çështje kyçe nuk ka munguar kurrë bashkëpunimi mes partive kryesore shqiptare në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG