Lidhje

Shkëmbime zjarri me paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë - 2002-08-30


Persona të armatosur në Kosovë, hapën zjarr kundër paqeruajtësve të NATO-s për dy orë dhe u larguan pas ardhjes së përforcimeve të aleancës. Incidenti i djeshëm në Gorazhde, fshat në afërsi të Pejës, ndodhi pasi personat e armatosur që dyshohet se janë shqiptarë hapën zjarr kundër një grupi druvarësh që po punonin nën mbrojtjen e policisë së Kombeve të Bashkuar dhe asaj vendase.

Të shtënat vazhduan edhe pasi mbërriti një njësi paqeruajtësish italianë. Por pasi helikopterë ushtarakë erdhën në ndihmë dhe paqeruajtës të tjerë zunë pozicione, personat e armatosur u larguan. Një prej tyre u ndalua. Nuk ka njoftime për të plagosur.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara po shtojnë aktualisht përpjekjet për rikthimin e sërbëve të larguar nga Kosova për shkak të dhunës etnike. Paqeruajtës nga shumë vende u vendosën në Kosovë në vitin 1999 pas bombardimeve të NATO-s që i detyruan forcat sërbe t’i jepnin fund shtypjes së Beogradit ndaj shumicës etnike shqiptare. Pavarësisht nga prania e forcave shumëkombëshe paqeruajtëse, shqiptarët i kanë sulmuar herë pas here sërbët që qendruan në Kosovë.

XS
SM
MD
LG