Lidhje

Powell: inspektorët të kthehen në Irak - 2002-09-01


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se bota ka nevojë të shikojë prova të kërcënimit që përbën Iraku dhe të angazhohet në një debat për çështjen se ç’duhet bërë lidhur me këtë.

Në një intervistë për televizionin e BBC-së, zoti Powell tha gjithashtu se Presidenti Bush ka deklaruar qartë se inspektorët e Kombeve të Bashkuara duhet të kthehen në Irak për të kontrolluar nëse atje ka armë të ndaluara të shkatërrimit në masë.

Javën e kaluar, nënpresidenti Dick Cheney minimizoi nevojën për rifillimin e inspektimeve të armëve dhe argumentoi me forcë dosmodoshmërinë e rrëzimit nga pushteti të udhëheqësit irzakian Saddam Hussein.

Megjithatë, presidenti Bush ka thënë se nuk ka vendosur se çfarë veprimesh do të ndërmarrë kundër Irakut.

Në një intervistë për CNN-in, zëvendës-kryeministri irakian, Tariq Aziz e mohoi se Bagdadi po punon për prodhimin e armëve bërthamore apo se zotëron armë kimike dhe biologjike. Zoti Aziz tha se Shtetet e Bashkuara po e përdorin çështjen e armëve si preteks për të sulmuar Irakun.

Ndërkohë, midis ekspertëve të politikës së jashtëme amerikane vazhdon debati nëse duhet ndërhyrë apo jo kundër Irakut. Senatori Fred Thompson i tha sot televizionit NBC se Shteteve të Bashkuara nuk mund t’i jejojnë vetes të gabojnë lidhur me synimet e Saddam Husseinit.

Republikani nga shteti Tenessee tha se beson se udhëheqësi irakian do të zotërojë armë bërthamore në të ardhmen e afërt dhe se do të ishte shumë më mirë të përdorej forca ushtarake tani se sa më vonë.

Por ish sekretari amerikan i shtetit Lawrence Eagleburger tha se çmimi ushtarak, politik dhe ekonomik i një ndërhyrjeje në Irak do të ishte shumë i lartë pa mbështetjen e aleatëve.

Ish-kandidati për president dhe senatori republikan, Bob Dole, i bëri thirrje presidentit Bush të kërkojë përkrahjen e Kongresit për çdo operacion ushtarak që mund të ndërmerret kundër Irakut.

Ish-kryetari i shumicës republikane në senat, shkruan se presidenti Bush nuk ka nevojë për një rezolutë nga ana e kongresit që ta autorizojë për të përdorur forcën, por se do të ishte veprim i mençur ta kërkonte një gjë të tillë.

Zoti Dole parashikon se Kongresi do ta miratonte një rezolutë të tillë, duke treguar kështu vendosmërinë amerikane dhe forcuar pozitat e presidentit, ndërkohë që ai përpiqet të fitojë përkrahjen e aleatëve për ndërhyrje ushtarake./ ii

XS
SM
MD
LG