Lidhje

Al-Kaida dhe armët bërthamore - 2002-09-02


Videokasetat e gjetura në Afganistan nga rrjeti televiziv CNN, paraqesin një pasqyrë të frikshme të kërcënimit që rrjeti terrorist al-Kaida paraqet ndaj vendeve të qytetëruara në të gjithë botën.

Rrjeti CNN transmetoi kohët e fundit fragmente nga 64 videokaseta, përfshi pamje të papara më parë të terroristëve duke u stërvitur në kampet e grupit al-Kaida në Afganistan. Këto kampe drejtoheshin nga al-Kaida, nën kujdestarinë e ish-udhëheqësve talebanë të Afganistanit, të cilët u përmbysën nga qëndresa afgane dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Pjesë të videokasetave të transmetuara nga rrjeti CNN tregonin se në kampet stërvitore të al-Kaidës jepeshin udhëzime rreth një sërë veprimtarish të shëmtuara, përfshirë ndërtimin e bombave, rrëmbimet dhe vrasjet.

Më shqetësuese nga të gjitha, ishin pamjet e provave të gazit helmues tek qentë. Sipas rrjetit CNN, mendohet se ky eksperiment i al-Kaidës me lëndë helmuese kimike është kryer në kampin Darunta, jo shumë larg qytetit lindor afgan të Xhalalabadit.

Pjesët e transmetuara nga rrjeti televiziv CNN u shtohen fakteve të tjera se grupi al-Kaida e ka përdorur vendstrehimin e tij në Afganistanin e sunduar nga talebanët si vend pune për ndërtimin e armëve kimike. Ahmed Ressam, një terrorist i stërvitur në Afganistan nga al-Kaida në vitin 1998, akuzohet për kompllotin për të hedhur në erë aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit. Në korrik të vitit 2001, ai dëshmoi në gjyq se një nga instruktorët e rrjetit al-Kaida kishte përdorur një qen për të kryer një eksperiment me lëndë kimike. Kafsha, tha ai, ishet vrarë nga gazi helmues i përftuar nga një përzjerje lëndësh kimike. Veç kësaj, udhëzimet për prodhimin e gazit vdekjeprurës nervor sarin, janë gjetur mes dokumentave të al-Kaidës të gjetura në Afganistan pas përmbysjes së regjimit taleban.

Siç tha presideni Bush, kërcënimi i madh ndaj qytetërimit është se ”disa njerëz të këqinj do t’i shumëfishojnë vrasjet dhe do të sigurojnë mjetet për vrasjen e njerëzve në përmasa të barabarta me urrejtjen e tyre.” Videokaseta që paraqet eksperimentet e al-Kaidës me armë kimike e bën një gjë shumë të qartë: në mënyrë që të parandalohen veprimet masive të terrorit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të parandalojnë zhvillimin e aftësive nga ana e terroristëve dhe e shteteve që i mbështesin ata, për t’i përdorur armët e shkatërrimit në masë, apo për të kërcënuar se do t’i përdorin ato.

XS
SM
MD
LG