Lidhje

Shqipëri: opozita e vendosur t’i qëndrojë marrëveshjes - 2002-09-02


Grupi parlamentar i Partisë Demokratike shprehu sot, në ditën e rifillimit të punimeve të parlamentit të Shqipërisë, vendosmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në drejtim të përsosjes së funksionimit të jetës parlamentare.

Kryetari i këtij grupi, Bamir Topi tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, se Partia Demokratike është e angazhuar t’i qëndrojë marrëveshjes së arritur para disa kohësh mes pozitës dhe opozitës.

Ai tha se grupi parlamentar i opozitës do të ketë në fokusin e punës së saj përsosjen e kuadrit ligjor për korrupsionin dhe kuadrit ligjor në përgjithësi.

Një çështje parësore ligjore për partinë më të madhe opozitare, përbën reformimi i institucioneve, pasi siç tha ai opozita ka patur mjaft probleme në këtë drejtim.

Zoti Topi tha se në krye të institucioneve kryesore duhet të vihen persona me parametra profesionale dhe morale.

Ai shtoi se bashkëpunimi mes përfaqësuesve të opozitës në parlament, vazhdon nga pikëpamja institucionale, pavarësisht se ka ndryshime që lidhen me platformat partiake.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike tha se kontrolli parlamentar do të vazhdojë mbi ekzekutivin, pasi ky është funksioni kryesor institucional i parlamentit. Ai tha se pak nga pak parlamenti po e merr këtë rol.

XS
SM
MD
LG