Lidhje

Kalendari Historik 3 shtator - 2002-09-03


Më 3 shtator 1916 Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi Ligjin Abramson, i cili përcaktonte standardin e ditës së punës 8 orëshe për punonjësit e hekurudhave dhe më vonë edhe për shumicën e punëtorëve të tjerë amerikanë. Sindikata e fuqishme e punonjësve të hekurudhave kishte punuar për disa muaj me radhë me anëtarët e Kongresit që kundërshtonin përpjekjet e saj për miratimin e ligjit që do të mbulonte shumicën e hekurudhave amerikane. Sindikata ngulte këmbë që dita e punës 12 dhe 15-orëshe rrezikonte seriozisht punonjësit e hekurudhave, të cilët ndiheshin shumë të lodhur kur përfundonin turnet e punës. Më së fundi Kongresi e miratoi ligjin një ditë para se anëtarët e bashkimeve profesionale të hekurudhave të fillonin një grevë në shkallë kombëtare. Kongresi donte të parandalonte ndërprerjen e punës në një periudhë kur bëheshin përgatitje për mbrojtje për Luftën e Parë Botërore. Pa kaluar shumë kohë edhe sindikata të tjera në Shtetet e Bashkuara, mbështetur në Ligjin Abramson, filluan të kërkojnë ditën e punës 8-orëshe dhe 5 ditë punë në javë, në kontratat e tyre me punëdhënësit.

Më 3 shtator 1783 përfaqësues të Amerikës dhe të Anglisë, nënshkruan Traktatin e Parisit, i cili i jepte fund zyrtarisht luftës së Amerikës për Pavarësi. Në bazë të dispozitave të Traktatit, Britania njihte pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, të cilave u garantonte kufij të zgjeruar tokësorë. Po ashtu Traktati i lejonte peshkatarët amerikanë të hynin lirisht në rajonet e pasura në peshk, në afërsi të brigjeve të Njufaundlendit. Nga ana e saj qeveria amerikane pranoi t’u paguajë qytetarëve britanikë borxhet private amerikane të para luftës. Veç kësaj Kongresi Kontinental ra dakord t’u kërkonte me këmbëngulje shteteve që t’i trajtonin mirë qytetarët britanikë që gjendeshin akoma në Amerikë. Shtetet e Bashkuara e ratifikuan Marrëveshjen e Parisit në janar të vitit 1784

XS
SM
MD
LG