Lidhje

Maqedoni: partitë shqiptare vazhdojnë fushatën - 2002-09-03


Në Maqedoni, partitë politike po zhvillojnë një fushatë normale zgjedhore, pa incidente të provuara me motive politike, të cilat do të dëmtonin fushatën dhe vetë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 15 shtatorit.

Maqedonia me më shumë se 1 milion e 600 mijë votues, është ndarë në 6 njësi zgjedhore, nga të cilat njësia numër 6, e cila përmbledh Tetovën, Gostivarin, Dibrën dhe disa zona të tjera më të vogla, ka numrin më të madh të votuesve shqiptarë dhe pritet të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve shqiptarë në parlamentin e ardhshëm të vendit.

Zgjedhjet e këtij viti në Maqedoni bëhen sipas sistemit të pastër proporcional ku votohet për partitë dhe jo për kandidatët. Partitë shqiptare kanë kandidatë në të 6 njësitë zgjedhore dhe në listat e tyre janë përfshirë edhe gra, por vetëm një pjesë e vogël e tyre do të kenë mundësi të hyjnë në parlamentin e ardhshëm sepse emrat e tyre figurojnë në vendet e fundit të listave zgjedhore në një numër të madh partish.

Partitë kryesore që konkurojnë në bllokun shqiptar janë Partia Demokratike Shqiptare e Arbër Xhaferrit, Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit, Partia për Prosperitet Demokratik e Abdurrahman Halitit dhe Partia Demokratike Kombëtare e Kastriot Haxhirexhës.

Gjatë fushatës zgjedhore këtë vit, këto parti nuk kanë bërë akuza të ashpra ndaj njëra-tjetrës, sic ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme, por përkundrazi, kanë premtuar bashkëpunim mes tyre, pas zgjedhjeve në koalicione të mundshme.

Favoritet kryesore për të fituar numrin më të madh të deputetëve në bllokun shqiptar janë BDI e Ali Ahmetit dhe PDSH e Arbër Xhaferrit.

Në bllokun maqedonas, beteja zhvillohet kryesisht midis VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Lupco Georgievski dhe LSDM-së së Branko Cërvenkovskit ku LSDM sipas analistëve ka shanset më të mëdha për të fituar një shumicë të madhe deputetësh në parlamentin e ardhshëm.

Megjithatë, nuk përjashtohen befasitë në rezultatin e zgjedhjeve të 15 shtatorit, as në bllokun shqiptar dhe as në atë maqedonas.

XS
SM
MD
LG