Lidhje

Qeveria e serbëve të Bosnjës mohon masakrën e Srebrenicës - 2002-09-03


Duke i bërë sfidë gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës, në një raport të ri të qeverisë së Republikës Serbe të Bosnjes mohohet masakra në Srebrenicë më 1995 e deri 8 mijë civilëve myslimanë, shumë prej të cilëve burra dhe djem.

Në raportin e lëshuar dje thuhej se vetëm rreth 2 mijë ushtarë myslimanë u vranë kur forcat serbe pushtuan Srebrenicën. Sipas raportit, llogaritet e komunitetit ndërkombëtar rreth viktimave janë zmadhuar së tepërmi.

Në dokument, raporti i parë zyrtar i hartuar nga autoritetet e republikës serbe të Bosnjes, thuhet se 100 nga ushtarët myslimanë vdiqën nga rraskapitja. Aty thuhet se po aq u vranë nga trupat serbe që kërkonin të hakmerreshin.

Një zëdhënës i gjykatës së OKB-së e cilësoi raportin si një përpjekje mizore për të hedhur poshtë faktet e nxjerra në gjyqet për krimet e luftës. Masakra e Srebrenicës është quajtur më e tmerrshmja në Evropë që prej luftës së dytë botërore.

Ekipet ndërkombëtare kanë nxjerrë eshtrat e rreth 6 mijë viktimave të Srebrenicës, shumica nga rreth 20 varre masive. Organizata ndërkombëtare humanitare thonë se të humburit u masakruan nga serbët.

Rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u zhdukën në korrik të vitit 1995, pasi forcat serbe pushtuan Srebrenicën, një zonë që Kombet e Bashkuara e kishin deklaruar ”vend të sigurt”.

XS
SM
MD
LG