Lidhje

Zgjedhjet, provë për situtatën e brishtë në Maqedoni - 2002-09-03


Sa deputetë do të dalin nga zgjedhjet? Cilat forca konkurojnë dhe cilat janë shanset e tyre për fitore? A do të rrezikojnë tensionet zhvillimin e votimeve të para që pas Marrëveshjes së Ohrit?

Për çfarë votohet më 15 shtator

  • Votimet do të zhvillohen në 6 njësi zgjedhore. Në secilën nga njësitë do të votohet për 20 vende. Votimi do të bëhet sipas sistemit proporcional. Për 120 vendet në Parlament do të kandidojnë 3,060 kandidatë. Katër partitë shqiptare konkurrojnë me 360 kandidatë. 30 për qind e kandidatëve janë gra, në përputhje me ligjin e ri të zgjedhjeve.

Ka mundësi që në parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet, do të ketë më shumë përfaqësues të pakicave, falë faktit që një numër i konsiderueshëm i kandidatëve konkurojnë në zona ku kanë shanse të fitojnë. Ligji i ri, i bazuar në sistemin proporcional, mendohet të jetë më i favorshëm për pakicat sesa ligji i mëparshëm.

Në qarqet zgjedhore do të përfshihen njësitë e votimit, në bazë të bashkive dhe komunave, ku shtetasit kanë të drejtën të votojnë.

Sipas ligjit për zgjedhjen e anëtarëve të parlamentit të Republikës së Maqedonisë, votimi bëhet i fshehtë dhe çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç, ka të drejtë të votojë, apo të zgjidhet.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni zhvillohen çdo katër vjet.

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve përbëhet nga një kryetar, një nënkryetar, tetë anëtarë dhe zëvendësit e tyre. Komisioni ka një sekretar. Kryetari i komisionit dhe zëvendësi i tij caktohen nga Presidenti, ndërsa sekretari, anëtarët dhe zëvendësit e tyre nga parlamenti.

Në çdo qark zgjedhor do të ketë një Komision Krahinor të Zgjedhjeve. Po ashtu do ketë komisione për çdo bashki.

Partitë që konkurojnë në zgjedhje

Partia VMRO-DPMNE (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase-Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar të Maqedonisë, e kryeministrit Gjeorgjevski, ka krijuar një koalicion zgjedhor me Partinë Liberale (LP).

Bashkimi Social-Demokratik i Maqedonisë (SDSM) ka krijuar një listë me Partinë Liberal-Demokratike (LDP) dhe me një numër partish të pakicave që përfaqësojnë turqit, serbët, boshnjakët dhe romët.

Partitë shqiptare kandidojnë më vete. Partia Demokratike Shqiptare e kryesuar nga Arbër Xhaferrit dhe partia e re Bashkimi Demokratik për Integrim, e kryesuar nga ish-drejtuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti janë regjistruar me kandidatë në 5 nga 6 njësitë zgjedhore. Partia për Prosperitet Demokratik, e kryesuar nga Abdurrahman Haliti dhe Partia Demokratike Kombëtare e krijuar së fundmi dhe e kryesuar nga Kastriot Haxhirexha kanë regjistruar kandidatë në 4 zona.

Katër partitë shqiptare nuk e kanë përjashtuar mundësinë për koalicione me njëra-tjetrën pas zgjedhjeve.

Në një raport të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe organizatës së saj për institucione demokratike (ODIHR), të publikuar në gusht, thuhej se një numër partish të opozitës kanë ngritur shqetësime mbi frikësime të mundshme dhe dhunë, të lidhura me zgjedhjet. Ato thonë se rezultatet e ulëta që kanë arritur partitë qeveritare në anketa e rrisin rrezikun për incidente në zgjedhje.

ODIHR do të vëzhgojë zgjedhjet e 15 shtatorit dhe vëzhguesit e saj, do të ruhen nga forcat e NATO-s.

Zgjedhjet, provë për situtatën e brishtë në Maqedoni

Zgjedhjet e 15 shtatorit janë të parat që zhvillohen, pas konfliktit të vitit të kaluar mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave qeveritare. Konflikti mori fund me një marrëveshje paqeje të arritur me ndërmjetësimin perëndimor, që “u pagëzua” me emrin “Marrëveshja e Ohrit”. Palët ranë dakord për disa shtesa në kushtetutën e vendit që synojnë të përmirësojnë statusin e shqiptarëve në Maqedoni, mes së cilave, më e rëndësishmja, është ndryshimi në kapitullin hyrës të Kushtetutës, ku tani thuhet se “shteti përbëhet nga qytetarë maqedonas, si edhe qytetarë brenda kufijve të saj, që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, atij vllah dhe rumun, popullit boshnjak dhe të tjerë”.

Dy zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Maqedoni, ishin ato presidenciale të vitit 1999 dhe ato vendore të vitit 2000, që u shoqëruan me dhunë dhe shkelje.

Në një raport të Institutit Demokratik Amerikan thuhet se nëse do të ketë akte të motivuara politikisht, ka më shumë mundësi që ato të jenë jo mes partive me prejardhje etnike të ndryshme, por brenda forcave politike rivale që i takojnë të njëjtës kombësi etnike për të fituar mbështetjen e votuesve.

Këto zgjedhje konsiderohen nga shumë maqedonas si kritike për ekzistencën e shtetit të tyre. Shumë të tjerë thonë se nuk do të votojnë, dhe kjo ndoshta për shkak të frikës nga aktet e dhunshme, apo edhe sepse nuk shohin alternativë të vërtetë tek partitë që konkurojnë.

Gjendja në Maqedoni, është shumë e brishtë, siç u duk edhe nga incidentet e kohëve të fundit të vrasjes së dy policëve dhe sulmet ndaj selive të partive, si edhe ngritja e postblloqeve dhe kërcënimet për dhunë ndaj qytetarëve që marrin pjesë në tubime.

Këto akte, kanë shtuar tensionin në gjithë vendin dhe e kanë vënë seriozisht në pikëpyetje lirinë e lëvizjes si edhe zhvillimin e aktiviteteteve për fushatën.

XS
SM
MD
LG