Lidhje

Kalendari Historik 5 shtator - 2002-09-05


Më 5 shtator 1957 u botua libri i autorit Jack Kerouac, ”On the Road”, i cili fliste për odisenë e tij katërditëshe nëpër Shtetet e Bashkuara. Ky libër ishte një përmbledhje kujtimesh nga bisedat dhe udhëtimet e autorit me mikun e tij Neal Cassady, të cilët kërkonin të gjenin kuptimin e jetës. Libri ”On the Road” përshkruan takimet e tyre me njerëz të ndryshëm si dhe me muzikën dhe me drogën. Autori dhe miqtë e tij i kanë përshkruar këto kujtime edhe me gjuhën e xhazit: Ky libër shumë shpejt u bë manifesti i të ashtuquajturit ”Beat Generation” ose ”Brezi i Ritmit”, që ishin kryesisht të rinj të cilët u rritën nën kërcënimin e bombës bërthamore. Këta të rinj ishin kundër stilit të jetesës të prindërve të tyre, siç ishte dëshira e zellshme për konformizëm apo rendja pas grumbullimit të pasurisë materiale.

Më 5 shtator 1961, presidenti John Kennedy ktheu në ligj një propozim i cili e konsideronte krim federal rrëmbimin e avionëve. Sipas ligjit, një krim i tillë dënohej me burgim ose me vdekje. Ligji përcaktonte ndëshkime për një sërë shkeljesh të kryera në aeroplanët komercialë. Këtu përfshiheshin kërcënimet ndaj udhëtarëve ose personelit, përpjekjet për të futur armë ose lëndë shpërthyese në avion dhe kërcënimet për të dëmtuar avionin. Ky ligj u dha agjencive federale, sidomos FBI-së të drejtën për të përdorur mjetet e tyre në hetimin e rasteve të tilla.//kk

XS
SM
MD
LG