Lidhje

Bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit - 2002-09-06


Arrestimet e fundit dhe veprime të tjera të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre demonstrojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Më 28 gusht, qeveria e Shteteve të Bashkuara ngriti akuzat kundër 5 burrave në Detroit të shtetit Michigan për veprimtari konspirative për t’u dhënë “mbështetje materiale dhe për t’u siguruar burime” terroristëve për të ndërmarrë sulme të tjera në të ardhmen. Tre nga këta persona u arrestuan menjëherë pas sulmeve terroriste kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit më 11 shtator të vitit të kaluar. Gjatë kontrollit në shtëpitë e të pandehurve, policia gjeti dokumente që kishin të bënin me planet për të sulmuar Turqinë dhe Jordaninë. U gjet gjithashtu edhe një videokasetë me pamje nga objektivat e mundëshme të sulmeve këtu në Shtetet e Bashkuara.

Në të njejtën kohë, policia në Hollandë arrestoi 8 burra, të dyshuar se rekrutonin terroristë për al-Qaidën dhe i jepnin kësaj organizate ndihmë financiare dhe logjistike. Në një rast tjetër, një gjykatës në Rotterdam shtyu afatin e mbajtjes nën arrest të tre të pandehurve të akuzuar për organizimin e sulmeve terroriste kundër ambasadës amerikane në Paris dhe depove amerikane të municionit në Belgjikë.

Në muajin maj, qeveria e Kirgistanit deportoi në Kinë dy anëtarë të Lëvizjes Islamike të Turkistanit Lindor. Ata u akuzuan për planifikimin e sulmeve ndaj disa objekteve, duke përfshirë edhe ambasadën amerikane në Bishkek, kryeqyteti i Kirgistanit. Ky grup u përfshi kohët e fundit në listën e terroristëve që në bazë të ligjit amerikan duhet t’u bllokohen pasuritë. Nga ana e saj, qeveria e Pakistanit dërgoi kohët e fundit disa qindra ushtarë në provincën veri-perëndimore kufitare, përgjatë kufirit me Afganistanin, në ndjekje të gjashtë persoanve që dyshohet se janë anëtarë të al-Qaidës.

Ndërsa shumë qeveri janë duke bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit, ka shënja që tregojnë se vende të tjera vazhdojnë të ndihmojnë dhe të mbështesin al-Qaidën dhe grupe të tjera terroriste. Presidenti George Bush ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë me vendosmëri kundër terroristëve dhe vendeve që i strehojnë ata. Përmbysja vitin e kaluar e lëvizjes radikale të Afganistanit ishte një provë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të angazhuar për këtë qëllim./ic

XS
SM
MD
LG