Lidhje

Transformimet politike dhe ekonomike në Korenë e Veriut janë jetike - 2002-09-08


”Një tragjedi e vetëkrijuar dhe e vetëpërjetësuar”. Këto fjalë janë një përshkrim i saktë i Koresë së Veriut, thotë John Bolton, nënsekretari amerikan i shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurimin Ndërkombëtar. Zoti Bolton foli më 29 gusht në kryeqytetin Seul të Koresë së Jugut. Kjo pjesë e Gadishullit Korean, ku jeton një shoqëri e begatë dhe demokratike krijon një kontrast dramatik me pjesën veriore, e cila është e shtypur dhe e uritur. ”Pa një ristrukturim rrënjësor të vetvetes dhe të marrëdhënieve me botën, tha zoti Bolton, mbijetesa e veriut nuk është e sigurtë.”

Kohët e fundit ka patur shenja të ndryshimeve të mundshme. Në to përfshihen ripërtëritja e dialogut ndërmjet Koresë së Veriut e të Jugut dhe fillimi i bisedimeve ndërmjet Koresë së Veriut e Japonisë. ”Ç’ka ndoshta është më e rëndësishmja, tha zoti Bolton, Koreja e Veriut ka filluar vënien në jetë të disa masave për liberalizimin e çmimeve dhe lejimin e tregjeve private. Po qe se reforma të tilla vazhdojnë dhe zgjerohen, e ardhmja e popullit koreano-verior mund të jetë më e ndritur”.

Edhe ndryshime të tjera janë të domosdoshme. Përveç punës në drejtim të armëve bërthamore, kimike dhe biologjike, tha zoti Bolton, Koreja e Veriut është shitësi më i madh në botë i pajisjeve për raketat balistike, pjesëve përbërëse, materialeve dhe ekspertizës teknike që lidhen me këto raketa. Ajo ka një një listë mbresëlënëse myshterinjsh, që nga Lindja e Mesme, në Azinë Jugore dhe Afrikën Veriore, ku përfshihen shtete tepër të papërgjegjshme, si Siria, Libia dhe Irani.

Shihet qartë se është koha që Koreja e Veriut të heqë dorë nga biznesi i përhapjes së raketave. Presidenti Bush ka thënë: ”Ne nuk mund të lejojmë që regjimet më të rrezikshme të botës të eksportojnë armët më të rrezikshme në botë”. Koreja e Veriut duhet gjithashtu të lejojë inspektimet nga ana e Agjencisë Atomike Ndërkombëtare dhe të tregojë se është e angazhuar ndaj ekzistencës së një Gadishulli Korean pa armë bërthamore.

”Dhe së fundi, por me siguri jo më pak e rëndësishme, i bëri thirrje nënsekretari i shtetit Bolton Koresë së Veriut, është zbutja e vuajtjeve dhe kequshqyerja e qytetarëve të saj. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ndaj operacioneve të Programit Botëror të Ushqimit në Korenë e Veriut. Por shoqatat bamirëse ndërkombëtare nuk mund ta shpëtojnë popullin e Koresë së Veriut nga tragjedia. Transformimet politike dhe ekonomike janë jetike”.

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të bisedojnë me Korenë e Veriut për hapat që do të çonin drejt një të ardhme më shpresëdhënëse dhe më pak kërcënuese. //ze

XS
SM
MD
LG