Lidhje

Shtëpia e Bardhë paralajmëron për kërcënimin në rritje të udhëheqësit irakian - 2002-09-08


Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Bush, dolën dje në programe të ndryshme televizive, duke paraqitur argumente kundër udhëheqësit të Irakut, Sadam Husein.

Duke folur në një program të rrjetit televiziv N-B-C, nën-presidenti Dick Cheney tha se autoritetet kishin kapur një dërgesë me pajisje për të prodhuar bombë bërthamore, që ishte nisur në drejtim të Irakut.

Këshilltarja për Çështjet e Sigurimit Kombëtar, Condoleeza Rice, tha në një program të rrjetit televiziv, C-N-N, se bota nuk duhet të presë që diktatori irakian të përdorë një bombë bërthamore, për të pasur në dorë një provë përfundimtare lidhur me ambicjet e tij për armë të shkatërrimit në masë.

Presidenti Bush do të paraqesë argumentet e tij kundër Irakut në një fjalim që do të mbajë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të enjten.

Kryeministri britanik, Tony Blair, diskutoi rreth problemit të Irakut me zotin Bush të shtunën në Camp David. Zoti Blair tha se Uashingtoni dhe Londra do të përpiqen të sigurojnë sa më shumë mbështetje të mundshme.

Në televizionin FOX, sekretari i shtetit, Colin Powell, tha se bashkësia ndërkombëtare duhet t’u përgjigjet kërcënimeve të Irakut.

”Sadam Husein dhe regjimi i tij nuk po ofendon vetëm Shtetet e Bashkuara. Ai dhe regjimi irakian, përmes mosveprimit, përmes shkeljes së rezolutave gjatë gjithë këtyre viteve, po sfidon bashkësinë ndërkombëtare, po shkel vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare, po shkel vullnetin e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Sekretari Powell thotë se mënyra më e mirë për çarmatosjen e Irakut është përmbysja e Sadam Huseinit. Ai thotë se Washingtoni do të vazhdojë të këshillohet me udhëheqësit botërorë, ndërsa presidenti nuk ka vendosur ende lidhur me vënien në përdorim të trupave amerikane.

Por ministri i jashtëm rus Igor Ivanov tha se çdo luftë kundër Irakut do të shkaktonte përçarje në radhët e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Sipas agjencive ruse të lajmeve, zoti Ivanov tha se gjendja do të acarohej në se bëhen përpjekje për të ndërhyrë në punët e brëndshme të një vendi sovran nën pretekstin, siç u shpreh ai, për të luftuar terrorizmin. //ze

XS
SM
MD
LG