Lidhje

Bashkëpunim i pashembullt në luftën kundër terrorizmit - 2002-09-09


Që prej sulmeve famëkeqe kundër Shteteve të Bashkuara para një viti, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është karakterizuar nga një nivel i pashembullt bashkëpunimi.

Vende nga e gjithë bota janë bashkuar në luftën kundër rrjetit terrorist Al-Kaida të Osama Bin Ladenit dhe rrjeteve të tjera terroriste. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndihmoi afganët që të dëbonin nga Afganistani Al-Kaidën dhe përkrahësit e saj talebanë. Në mbarë botën, janë zbuluar komplote, janë shkatërruar celula terroriste, janë marrë në pyetje mijëra njerzë dhe janë shtuar masat e sigurimit. Si tha edhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, Koalicioni i angazhuar në luftën globale kundër terrorizmit është i gjerë, është i përfshirë thellësisht dhe është mbresëlënës.”

Gjatë vitit të kaluar janë arritur shumë suksese. Planet e terroristëve janë prishur në Liban, Singapor, Indonezi, Francë, Bosnje, Belgjikë, Republikën Çeke, Indi dhe në Itali. Autoritetet në 14 vende thonë se kanë gjetur dhe shkatërruar baza terroriste.

Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë shumë vende që të përmirësojnë aftësitë e tyre ushtarake dhe të ruajtjes së rendit për të luftuar terroristët. Në mbarë botën janë bllokuar fonde prej mbi 100 milion dollarësh, që thuhet se përdoreshin nga grupe dhe individë, që kishin lidhje me Al-Kaidën. Shumë vende kanë ndryshuar ligjet bankare dhe ligje të tjera në mënyrë që të luftojnë më mirë rrezikun terrorist.

Është më se e qartë që lufta kundër Al-Kaidës do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Sipas një projekt-raporti të Kombeve të Bashkuara, Al-Kaida ka krijuar celula në të paktën 40 vende, ka vendosur lidhje me grupe të tjera terroriste, ka tërhequr rekrutë të rinj dhe ka gjetur mënyra të reja për të furnizuar përkrahësit e saj me para dhe armë.

Por siç e ka bërë të qartë presidenti Bush, koalicioni ndërkombëtar nuk do të pushojë deri sa të shfarosen të gjitha grupet terroriste, që përbëjnë kërcënim për botën. Kjo luftë, tha presidenti, nuk do të marë fund me një armëpushim apo traktat. Kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Shteteve të Bashkuara, të miqve tanë dhe të kauzës së lirisë. Ashtu si para 60 vjetësh në kohë lufte, theksoi presidenti Bush, ky vend do të jetë i durueshëm, ne do të jemi të vendosur dhe këmbëngulës në mbrojtje të lirisë.” //ze

XS
SM
MD
LG