Lidhje

Maqedoni: 4 mijë vëzhgues për zgjedhjet - 2002-09-09


Rreth 4 mijë vëzhgues, nga të cilët 3 mijë vendas, dhe rreth 1 mijë ndërkombëtarë pritet të vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare të të dielës në Maqedoni, të parat pas konfliktit të armatosur të vitit të kaluar.

Në këto zgjedhje, partitë politike po konkurojnë me një numër të madh kandidatësh, po kështu konkurojnë edhe kandidatë të pavarur, shoqata dhe grupime të tjera.

PDSH e Arbër Xhaferrit, mbështetet në fushatën e saj në idenë që shqiptarët duhet të sillen si një komb kudo që jetojnë dhe ka moto të saj fjalinë: ”Synojmë perëndimin”. Kjo parti mbështet zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe avancimin e mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve në këtë vend.

Po kështu pjesë e fushatës së PDSH-së është mbështetja për pavarësinë e Kosovës si parakusht për të patur qëndrueshmëri në Ballkan.

Bashkimi Demokratik për Integrim e kryesuar nga Ali Ahmeti, e dalë nga ish-strukturat e UÇK-së, mbështetet në zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, zhvillimin ekonomik të vendit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Kjo parti u ka bërë thirrje edhe etniteteve të tjera në Maqedoni, përfshi edhe maqedonasit, që t’i bashkohen asaj dhe ta mbështesin. Motoja e BDI-së është: ”Fitimtarë bashkë me ju”.

PPD e kryesuar nga Abdurrahman Haliti shkon në zgjedhjet e së dielës me moton: ”Të ecim së bashku”. Kjo parti mbështet gjithashtu zbatimin e plotë të marrëveshjes së paqes dhe zgjidhjen e problemit të arsimimit të lartë të shqiptarëve në gjuhën shqipe. PPD u përpoq të arrinte koalicione parazgjedhore me BDI e Ali Ahmetit dhe PDK e Kastriot Haxhirexhës, por bisedimet dështuan.

PDK e Kastriot Haxhirexhës shkon në zgjedhje me moton, “Voto për ne, ardhmëri e re” dhe ka kandidatët e saj në disa nga 6 njësitë zgjedhore.

Në bllokun maqedonas, dy konkurentët kryesorë, janë VMRO-DPMNE e kryeministrit Lupco Georgievski, e cila shkon në zgjedhje me moton “Me kokën lart” dhe LSDM e Branko Cërvenkovskit, e cila ka moton “Për Maqedoninë së bashku”.

VMRO-DPMNE mbështetet në një platformë nacionaliste ndërkohë që LSDM konsiderohet e moderuar.

Zgjedhjet parlamentare të së dielës zhvillohen sipas sistemit të pastër proporcional ku votohet për partitë dhe jo për kandidatët dhe Maqedonia ndahet në 6 njësi zgjedhore, nga të cilat njësia numër 6 e cila përmbledh Tetovën, Gostivarin, Dibrën dhe disa zona më të vogla, pritet të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve shqiptarë.

Në këtë zonë konkurojnë të katër udhëheqësit shqiptarë, Arbër Xhaferri, Ali Ahmeti, Abdurrahman Haliti dhe Kastriot Haxhirexha.//kk

XS
SM
MD
LG