Lidhje

Bota e artit një vit pas sulmeve terroriste - 2002-09-09


Pas sulmeve të 11 shtatorit, artistët u mblodhën në mbështetje të viktimave si dhe për të rivlerësuar rolin e tyre në kulturën amerikane. Si rezultat, në mbarë vendin u organizuan veprimtari me pjesëmarrjen e emrave më të njohur të Hollivudit dhe muzikës për të grumbulluar fonde. Mendohej se pas akteve terroriste, temat me dhunë do të eliminoheshin nga industria e argëtimit, por siç shpjegojnë ekspertët e kësaj industrie, një vit pas këtyre ngjarjeve, duket se Hollivudi dhe muzika i janë kthyer veprimtarisë normale.

Qyteti i New Yorkut, që u godit rëndë nga sulmet, u bë skenë e veprimtarive përkujtimore në nder të viktimave të sulmeve në “Koncertin për New Yorkun.” Këngëtari Billy Joel interpretoi këngën e tij “New York State of Mind” nën duartrokitje të shumta, pasuar nga interpretime nga Rolling Stones, Bon Jovi dhe Paul McCartney.

Po në New York u zhvillua edhe veprimtaria “Nderim për Heronjtë” me pjesëmarrjen e aktorëve si Julia Roberts, Tom Cruise dhe Tom Hanks.

Thuajse një vit pas sulmeve të 11 shtatorit, artistët kujtojnë ato ngjarje tragjike disa me tone optimiste, të tjerë ende nën peshën e zemërimit dhe dhimbjes.

“Më kujtohet se si kombi ynë i tronditur u bashkua duke demonstruar tiparet më pozitive që kishin parë prej kohësh,” thotë aktori Robin Williams.

Disa artistë preferojnë të hedhin vështrimin drejt së ardhmes:

“Mendoj se nuk dua ta kujtoj atë ditë. Preferoj të përqëndrohem në ato që po bëjmë tani dhe si do të vazhdojmë më tutje. Dua të shoh drejt së ardhmes dhe jo të kaluarën,” thotë aktorja Susan Sarandon.

Aktori britanik John Malkovich shprehet me tone më pesimiste.

“Nuk mendoj se do të ndërrojë gjë, nuk mendoj se këto akte do të sjellin ndonjë rezultat pozitiv. Mendoj se bota ka qenë gjithnjë e tillë dhe se ndoshta për disa kohë ne jetuam një periudhë që nuk u kushtëzua nga faktorë historikë, por nuk ushqej shpresa dhe nuk jam natyrë optimiste,” thotë aktori.

Një ndër dilemat që pasuan sulmet e 11 shtatorit ishte reagimi i Hollivudit ndaj temave me dhunë. Filmi Swordfish me aktorët John Travolta dhe Halle Berry ishte filmi i parë që u shit me paralajmërimin se përmbante skena terrorizmi dhe dhune.

Por një vit pas sulmeve industria e argëtimit i është kthyer ritmit normal të punës. Siç tregoi edhe suksesi i filmave “Sum of all Fears” dhe “Triple X” publiku po i mirëpret përsëri filmat me aksion dhe dhunë.

Edhe industria muzikore po vazhdon veprimtarinë normale, por aktet terroriste u bënë temë e disa krijimeve të fundit artistike, siç është albumi i ri The Rising i yllit të muzikës rok, Bruce Springsteen.

Nga ana e tij, artisti i muzikës Rap, Eminem, i pasqyroi aktet terroriste me mënyrën e tij të debatueshme, duke u veshur si Osama bin Ladeni në videon e tij “Without me,” që është një ndër albumet më të shitura të vitit.

Megjithëse ende nuk kanë filluar të shfaqen filma që pasqyrojnë ngjarjet e 11 shtatorit, si rrjedhojë e kohës së gjatë që kërkojnë për t’u realizuar projekte të tilla kinematografike, duket se tematika e filmave dhe interesi i shikuesve është kthyer në nivelin normal që kishte para sulmeve terroriste.

XS
SM
MD
LG