Lidhje

NATO e shqetësuar për sulmet ndaj medias në Maqedoni - 2002-09-09


Ambasadori i NATO-s në Shkup, Nikolas Bigman, shprehu sot shqetësimin për sulmet kundër medias së pavarur dhe gazetarëve gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit.

Në një deklaratë të dërguar nga zyra e tij, ambasadori theksoi se është i tronditur nga sulmet e fundit kundër medias së pavarur dhe disa gazetarëve si dhe nga veprimet ligjore kundër disa artikujve të medias, të cilat sic theksoi ai, janë të papërshtatshme, vecanërisht gjatë fushatës zgjedhore.

“Sulmet kundër medias së lirë dhe të pavarur janë në kundërshtim me parimet bazë të aleancës së NATO-s. Mbështetja e medias së pavarur është thelbësore për një vend që dëshiron të jetë pjesë e një Evrope të re”, theksoi ambasadori Bigman.

Ai tha gjithashtu se ka qenë personalisht i angazhuar për mbështetjen e medias së lirë dhe të pavarur dhe se një numër gazetarësh kanë kontaktuar zyrën e tij për të treguar për përpjekjet për të ndikuar në raportimin e tyre dhe frikësimin me të cilin përballen.

Ambasadori i NATO-s thotë se këta gazetarë kanë treguar kurajo dhe profesionalizëm dhe kanë ndihmuar në zhvillimin pozitiv të medias së pavarur në Maqedoni.

Ambasadori Bigman, i quajti zhvillimet e fundit edhe më shqetësuese sepse siç thekson ai, duket se ato konfirmojnë informacionin e dhënë lidhur me presionet nën të cilat gjenden gazetarët.

Autoritetet e ministrisë së brendshme të Maqedonisë kanë njoftuar se do të shpallin akuza për vepra penale ndaj redaktorëve dhe mediave të cilat sipas tyre janë pjesë e skenareve për “diskreditimin” e autoriteteve aktuale të vendit.

Ministria e brendshme e Maqedonisë akuzoi në fund të javës së kaluar gazetarin Marjan Gjurovski të revistës së përjavshme “Start” për publikimin e një artikulli të tij në këtë revistë.//kk

XS
SM
MD
LG