Lidhje

Bush paralajmëron terroristët - 2002-09-10


Teksti i plotë i fjalimit

Vendi im gjithnjë do të kujtojë miqësinë dhe mbështetjen e madhe që erdhi nga shtetet e ndryshme të botës pas 11 shtatorit. Në emër të të gjithë amerikanëve, falenderoj ata miliona njerëz në çdo vend që mbajnë zi me ne për humbjen e jetëve të pafajshme dhe që ndajnë me ne vendosmërinë për të hequr nga bota renë e zezë të terrorit.

Shumë vende dhe shumë familje kanë jetuar për dekada me radhë nën hijen e terrorizmit, kanë provuar vite të tërë vrasjesh mizore dhe të pamëshirshme. 11 shtatori nuk ishte fillimi i terrorit global por fillimi i përgjigjes së përbashkët botërore. Historia do ta kujtojë atë ditë jo vetëm si ditë të tragjedisë por edhe si ditë të vendimit, kur bota e qytetëruar u ngrit e zemëruar në këmbë për veprim. Terroristët do ta kujtojnë 11 shtatorin si ditën kur filloi larja e hesapeve me ta.

Ne kemi përballë një armik me ambicie të pamëshirshme që nuk njeh ligj apo moral. Terroristët që goditën më 11 shtator i përbuzin fetë e tjera dhe përdhosën fenë e tyre. Ata janë të vendosur ta zgjerojnë shkallën dhe përmasat e krimit. Terrori që vuri në shënjestër Nju Jorkun dhe Uashingtonin një vit më parë mund të godasë çdo qendër qytetërimi.

Përballë një armiku të tillë nuk ka imunitet dhe nuk mund të ketë asnjanësi. Një koalicion i fuqishëm i vendeve të qytetëruar është vënë tani në mbrojtje të sigurimit tonë të përbashkët. Pasuritë e terroristëve janë bllokuar; janë gjetur grupet kryesore terroriste. Një regjim terrorist është rrëzuar nga pushteti. Nga Spanja e deri në Singapor janë zbuluar një numër komplotesh terroriste. Mijra terroristë janë nxjerrë përpara drejtësisë, ndodhen në burg ose kanë marrë arratinë për të shpëtuar kokën.

Në fazën e tanishme të fushatës sonë, koalicioni ynë nuk po i kundërvihet një vendi të caktuar por një rrjeti. Fitorja do të vijë me kohë, në procesin e eliminimit hap pas hapi dhe me durim të këtij rrjeti.

Në kohën tonë ekziston një hendek i madh jo midis feve dhe kulturave por midis qytetërimit dhe dhunës së pamëshirëshme. Njerëzit e të gjitha kulturave dëshirojnë të jetojnë në siguri dhe dinjitet. Shpresa për drejtësi, mëshirë dhe një jetë më të mirë është e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Armiqtë tanë nuk i pranojnë këto vlera dhe duke vepruar kështu, ata e venë veten jo vetëm kundër Shteteve të Bashkuara por edhe kundër gjithë botës.

Askush prej nesh nuk do ta dëshironte atë që ndodhi më 11 shtator. Megjithatë, nga një e keqe e madhe mund të vijë një e mirë e madhe. Unë parashikoj një ditë kur kërcënimi i terrorit të organizuar do të jetë mposhtur. Kur ajo ditë të ketë ardhur, shumë nga konfliktet e vjetër do të shfaqen në një dritë të re. Kur të mos jetë më frika e vazhdueshme dhe cikli i urrejtjes që terroristët përhapin me dhunën e tyre, ne do të shikojmë se mosmarrëveshjet e vjetra dhe serioze do të mund të zgjidhen në mënyrë paqësore, në kufijtë e arësyes, të vullnetit të mirë dhe të sigurisë së ndërsjelltë.

Ne kemi rastin të shkruajmë një kapitull të ri dhe plot shpresë në historinë njerëzore, të shkruajmë historinë e fitores së guximit mbi mizorinë, të dritës mbi errësirën. Kjo kauzë është e denjë për çdo jetë njerëzore dhe për çdo vend.

Pra, le të ecim përpara me besim, të vendosur dhe pa frikë. Së bashku, ne do të përballojmë rrezikun e momentit të tanishëm dhe do të kuptojmë premtimin e epokës sonë.

Zoti i bekoftë njerëzit liridashës kudo që janë.

XS
SM
MD
LG