Lidhje

Departamenti i Shtetit: amerikanët të jenë të kujdesshëm - 2002-09-10


Departamenti amerikan i Shtetit bëri një paralajmërim në shkallë botërore, ku u kërkohet amerikanëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë periudhës së përvjetorit të sulmeve të 11 shtatorit.

Në një deklaratë të djeshme, thuhet se qeveria amerikane vazhdon të marrë të dhëna të besueshme se grupe dhe individë ekstremistë po planifikojnë sulme të tjera kundër interesave amerikane. Departamenti i Shtetit thotë se këto akte mund të jenë të pashmangshme dhe se në to mund të përfshihen sulme vetëvrasëse.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se masat e ndërmarra të sigurisë në objektet qeveritare mund t’i detyrojnë terroristët të sulmojnë të ashtuquajturat ”objektiva më të buta,” ku dihet se mblidhen amerikanët, si klube, restorante, qendra fetare, shkolla dhe veprimtari argëtuese.

Në deklaratë theksohet se objektet qeveritare në mbarë botën do të vazhdojnë të jenë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë.

Ndërkohë ambasada amerikane në kryeqytetin indonezian, Xhakarta është mbyllur deri në një urdhër të dytë për shkak të atij që zyrtarët e cilësojnë si informacion të besueshëm rreth mundësisë së një sulmi terrorist.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane tha se edhe konsullata amerikane në qytetin Surabaya u mbyll sot për një kohë të pacaktuar. Zëdhënësi tha gjithashtu se një ceremoni e planifikuar për nesër me rastin e përvjetorit të parë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara është anulluar.

Deri tani nuk janë dhënë hollësi rreth kërcënimit ndaj objekteve diplomatike amerikane. Në Malajzi, zyrtarë amerikanë thonë se edhe ambasada në këtë vend do të mbyllet, duke filluar nga nesër. Ata flasin për një kërcënim të ngjashëm e të besueshëm ndaj sigurisë.//kk

XS
SM
MD
LG