Lidhje

Blair paralajmëron Irakun - 2002-09-10


Kryeministri britanik, Tony Blair, tha se komuniteti ndërkombëtar do të përdorë diplomacinë në përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Irakun, por paralajmëroi se do të ndërmerren sulme ushtarake kundër tij, nëse Bagdadi vazhdon të shpërfillë rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë Bagdadi u bëri thirrje arabëve të sulmojnë interesat amerikane në Lindjen e Mesme, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin sulme ushtarake për të përmbysur presidentin Sadam Husein.

Në një fjalim që mbajti sot në kuvendin e Kongresit të Bashkimeve Profesionale të Britanisë, kryeministri Blair e cilëson presidentin irakian, Sadam Husein, si kriminel ndërkombëtar, i cili po grumbullon në mënyrë të paligjshme armë të shkatërrimit në masë.

Udhëheqësi britanik tha se presidenti Sadam Husein vazhdon të shkelë rezolutat e Kombeve të Bashkuara, që i dhanë fund luftës së vitit 1991 në Gjirin Persik.

Po sot, gjatë një konference shtypi në Jordani, nënpresidenti irakian, Taha Yassin Ramadan, tha se çdo sulm kundër Irakut duhet të shikohet si një sulm kundër botës arabe.

Në Bagdad, ministri i Jashtëm, Naxhi Sabri, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania nuk thonë të vërtetën kur akuzojnë Bagdadin se po zhvillon armë të ndaluara.

Zoti Sabri i cilëson akuzat si pjesë e përpjekjeve të Parëndimit për të manipuluar opinionin botëror që të arsyetojë ndërmarrjen e sulmeve ushtarake.

Ai tha se Iraku gëzon të drejtën fetare të vetëmbrohet dhe se arabët kanë të drejtën të luftojnë kundër atij që ai e cilësoi si agresion perëndimor.

Ndërkohë, presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të mos sulmojnë Irtakun pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zoti Prodi tha se një hap i tillë do të minonte atë që ai e cilësoi si themelin e diplomacisë amerikane që nga sulmet e 11 shtatorit. //kk

XS
SM
MD
LG