Lidhje

Si ka ndryshuar politika e jashtme amerikane - 2002-09-10


”Ose me ne, ose me terroristët.” Kjo ishte përgjigja e presidentit Bush vitin e kaluar ndaj sulmeve të pashembullta kundër Amerikës nga terroristë islamikë. Kjo përgjigje u ndoq më pas nga kundërveprimet e vendosura të Shteteve të Bashkuara ndaj Osama Bin Laden dhe regjimit taleban në Afganistan.

Pyetja është: po tani çfarë do të bëhet? Ndërkohë që forca speciale amerikane vazhdojnë të ndjekin mbeturinat e Al-Qaidës, administrata e Bushit ka propozuar luftë ndaj Irakut. Por një sulm kundër Sadam Huseinit nuk ka mbështetjen ndërkombëtare që kishin sulmet kundër Afganistanit. Me sa duket, Shtetet e Bashkuara do të duhet të shkojnë në këtë luftë vetëm.

Kjo është përgjegjësia e re globale e Shteteve të Bashkuara, thotë sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld. ”Është më e rëndësishme, tha sekretari amerikan i mbrojtjes, që të marrësh vendimin e duhur dhe të veprosh drejt, se sa të kesh unanimitet.” Marrja e vendimeve të drejta, vazhdoi zoti Rumsfeld, do të sjellë bashkëpunimin e aleatëve.

Por ministri i jashtëm egjiptian, Ahmed Maher, e quan administratën e Bushit si tepër konfrontuese dhe një shprehje vetëkënaqësie. Ai thotë, se kjo parrullë, me ne apo kundra nesh, nuk sjell dobi.

John Ikenberry, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë universitetit Georgetown, thotë se ky debat është i gjerë, i ashpër, por ende nuk është përfundimtar.

”A janë kërcënimet kaq rrënjësisht të reja dhe ogurzeza sa që tashme na duhet t’i rimendojmë mënyrat se si Shtetet e Bashkuara veprojnë në arenën ndërkombëtare, të rimendojmë përdorimin e forcës, marrëdhëniet me aleatët, si veprojmë brenda institucioneve ndërkombëtare dhe rregullat e lojës në përgjithësi? Të gjitha këto çështje janë të hapura për debat, thotë profesori”, thotë Ikenberry.

Në këtë debat është angazhuar edhe Ralph Peters, ish- oficer i ushtrisë amerikane, me përvojë të madhe në operacionet jashtë vendit dhe autor i librit të sapobotuar ”Pas terrorit”. Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim se rregullat kanë ndryshuar.

”Mendoj, thotë zoti Peters, se është e qartë për të gjithë që ne e kemi marrë seriozisht çështjen e terrorizmit. Nëse dikush i ngacmon Shtetet e Bashkuara për një çështje serioze, ne zakonisht fitojmë sepse kemi fuqinë dhe vendosmërinë, e cila gjithmonë nënvlerësohet nga kundërshtarët tanë.”

Nënsekretari amerikan i shtetit, Richard Armitage tha për gazetën amerikane ”The Washington Post” se ndikimi, fuqia dhe prestigji i Shteteve të Bashkuara i tejkalon ato të çdo shteti tjetër në historinë botërore. Buxheti ushtarak i Shteteve të Bashkuara prej mbi 370 miliardë dollarësh është dy herë më i madh se buxheti ushtarak i aleatëve të saj në NATO.

Por zoti Armitage pranon se një fuqi e tillë mbjell frikë dhe zili, sidomos në rastet kur duket se Shtetet e Bashkuara veprojnë në mënyrë të njëanshme. Shtetet e Bashkuara ndodhen para kritikave të forta për kërcënimin e fillimit të ndonjë sulmi kundër Irakut, si dhe për kundërshtimet e saj ndaj gjykatës së re penale ndërkombëtare dhe marrëveshjes mbi mjedisin.

Profesor Ikenberry thotë se njëanshmëria apo shumanshmëria janë mjete që duhet të përdoren në momentin e duhur. Vendimet shumëpalëshhe të Shteteve të Bashkuara kanë krijuar një sistem të tillë aleance që kanë çuar në një mirëqënie dhe siguri të paparë në pjesën më të madhe të botës.

Por sipas Ralph Peters, vendimet me pjesmarrjen e shumë palëve, mund të dështojnë, në se synojnë të mbështesin diktatorë të urryer, si ata me të cilët po merren Shtetet e Bashkuara në Azinë Qëndrore. Sipas zotit Peters, Shtetet e Bashkuara duhet t’u përmbahen vlerave të deklaruara si mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbështetja e demokracisë aty ku ajo është e qëndrueshme, mbështetja e tregut të lirë dhe mbrojtja e mjedisit. Sipas tij, përmbushja e këtyre vlerave është mënyra më e mirë për të fituar mbështetjen e kombeve të tjera.//kk

XS
SM
MD
LG