Lidhje

Moisiu: 11 shtatori goditi gjithë njerëzimin - 2002-09-11


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu shprehu solidaritetin e popullit shqiptar me Shtetet e Bashkuara, në ditën kur gjithë amerikanët përkujtojnë viktimat e sulmeve të 11 shtatorit të vitit të kaluar.

Presidenti Moisiu tha në një intervistë për Zërin e Amerikës nga New Yorku, se ”11 shtatori nuk goditi vetëm Shtetet e Bashkuara, por gjithë njerëzimin”.

Ai përmendi faktin që tre shqiptarë vdiqën kur u godit Qendra Botërore e Tregëtisë dhe tha se populli shqiptar i jep mbështetje të gjithanshme veprimeve të Shteteve të Bashkuara.

Si tregues për këtë mbështetje ai përmendi pjesëmarrjen e Shqipërisë me trupa në Afganistan, si edhe aktivitete të tjera që janë ndërmarrë nga autoritetet shqiptare ndaj elementëve që paraqesin rrezikshmëri në shkallë ndërkombëtare.

Pavarësisht se Shtetet e Bashkuara janë më shumë të përqendruara aktualisht në luftën kundër terrorizmit, Presidenti Moisiu tha se kontributi amerikan në rajon vazhdon të mbetet i një rëndësie të madhe për stabilitetin në rajon.

Zoti Moisiu pati sot edhe një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan. Presidenti i Shqipërisë tha se zoti Annan kishte vlerësuar rolin e Shqipërisë për stabilitetin në rajon, si edhe procesin e çarmatimit.

Përsa i takon marrëdhënieve me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, zoti Moisiu tha se ka ardhur koha që përfaqësuesit e saj të mendojnë më shumë për vendin e tyre dhe ata që kanë mundësi të kontribuojnë dhe investojnë atje.

Ai tha se angazhimi i shtetit shqiptar për diasporën do të vijë duke u shtuar dhe përmendi si fakt për këtë përpjekjet për ngritjen e 1 ose 2 konsullatave të tjera për t’i ndihmuar shqiptarët, por edhe për t’u krijuar lehtësi atyre për aktivitetin e tyre.//kk

XS
SM
MD
LG