Lidhje

Amerikanët ende të traumatizuar - 2002-09-11


Anketimet e reja tregojnë se efekti emocional i sulmeve terroriste të vitit të kaluar është fashitur disi në Shtetet e Bashkuara. Por nga ana psikologjike amerikanët ende nuk i janë kthyer plotësisht jetës normale. Një vit pasi terroristët përplasën avionë në kullat e Qendrës Botërore të Tregëtisë në New York dhe në Pentagon në Washington, njerëzit ende vuajnë nga pasojat e stresit dhe frikës.

Studiuesi i Universitetit të Miçiganit, Michael Traugott ka kryer tre sondazhe kombëtare që nga 11 shtatori, më të fundit në muajin gusht.

Ai arriti në përfundimin se 2 të pestat e të intervistuarve kohët e fundit ndihen më pak të sigurt tani, sesa para sulmeve. Gjysma e tyre thanë se bënin një gjumë të shqetësuar, pothuajse po aq thanë se nuk përqëndroheshin dot, rreth 1 e katërta ndjeheshin të dëshpëruar dhe afro një e pesta ndjeheshin të frikësuar në pjesën më të madhe të kohës.

Këto përqindje, megjithëse ende të konsiderueshme, kanë rënë që nga muaji pas sulmeve. Pjesa më e madhe e ndryshimit ndodhi në gjashtë muajt e parë.

”Kjo do të thotë që amerikanët kanë arritur t’i kthehen pak a shumë normalitetit. Por ka një grup që nuk ka arritur ta marrë veten me të njëjtin ritëm”, thotë zoti Traugott.

Përfundime të ngjashme me ato të anketimeve të Universitetit të Miçiganit, u arrit edhe nga ato të kryera nga psikologë të Universitetit të Kalifornisë, në Irvine. Edhe ekipi i Kalifornisë ka organizuar tri anketa të opinionit publik që nga 11 shtatori. Hera e fundit ishte para 6 muajsh. Në një raport në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, ata thonë se përqindja e popullsisë amerikane jashtë New Yorkut që thanë se kishin stres të vazhdueshëm në mars ishte 6 për qind, nga 17 për qind që ishte në nëntor.

Ja ç’thotë drejtuesja e studimit, Roxane Cohen Silver: ”E rëndësishme është që po shohim një përgjigje normale ndaj një traume jonormale. Unë nuk i shoh këto si shenja psikopatologjie, apo çrregullimesh psikike. Mënyrë se si njerëzit po reagojnë ndaj asaj që ishte një tragjedi kombëtare e jashtëzakonshme, mua më duket krejtësisht normale”, thotë zonja Silver.

Studimi i zonjës Silver hedh dritë mbi arsyet që disa njerëz e kanë marrë veten më ngadalë se të tjerë. Nivelet më të larta të atyre që thanë se kishin stres ishin mes grave, njerëzve që edhe më parë kishin vuajtur nga depresioni apo ankthi dhe ata që kishin patur më shumë lidhje me sulmet.

Një grup tjetër që vazhdon të ndjehet shumë i stresuar përbëhet nga njerëz që kanë hequr dorë nga përpjekjet për të përballuar pasojat e atyre që ndodhën. Ajo që e ka përkeqësuar gjendjen për ata dhe të tjerë është se situata emergjente në vend nuk mori fund me sulmet, por vazhdoi me luftën kundër terrorizmit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, paniku nga bioterrorizmi tetorin e kaluar shkaktuar nga letrat me antraks dhe përpjekjet e qeverisë për të parandaluar akte të tjera terroriste.

”Kur një traumë është e vazhdueshme, shkëputja prej saj herët, nuk është një strategji e përshtatshme. Angazhimi aktiv për t’u përballur sulmet u shoqërua me rënien e stresit, me kalimin e kohës”, thotë zonja Silver.

Të dyja studimet universitare tregojnë se reagimi ndaj një traume të madhe kombëtare nuk kufizohet tek ata që e përjetojnë atë drejtpërdrejt. Michael Traugott në Miçigan thotë se kthimi i vëmendjes nga përvjetori i parë i sulmeve, ka mundësi që ta rrisë disi ankthin dhe depresionin.//kk

XS
SM
MD
LG