Lidhje

Kosova shpreh solidaritetin me Shtetet e Bashkuara - 2002-09-11


Zyrtarët më të lartë të Kosovës kanë siguruar sot popullin dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre në përvjetorin e parë të sulmeve mbi New York dhe Washington që ata i kanë cilësuar si goditje mbi civilizimin botëror.

Sot në gjithë Kosovën janë organizuar veprimtari të shumta në nderim të viktimave të këtyre sulmeve.

Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë u kanë shprehur mbështetjen e plotë qytetarëve dhe qeverisë amerikanë me rastin e përvjetorit të sulmeve terroriste mbi New York dhe Washington.

Ata shprehën mesazhet e tyre gjatë veprimtarive të sotme në nderim të viktimave të këtyre sulmeve.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova tha sot në një takim me shefin e Misionit amerikan në Prishtinë Reno Harnish se populli i Kosovës është pranë atij amerikan, duke shprehur besimin se siç tha ai e mira do të ngadhnjejë mbi të keqen.

Ambasadori amerikan Reno Harnish falënderoi presidentin Rugova dhe qytetarët e Kosovës për qëndrimin e tyre përkrah popullit dhe qeverisë amerikane.

Ai në një shkrim të botuar sot në të përditshmen Koha Ditore theksonte se Kosova duhet të vazhdojë në rrugën për demokraci, qeverisje të mirë, qëndrueshmëri rajonale dhe sundim të ligjit dhe sipas tij ky është roli që Amerika kërkon nga qytetarët e Kosovës.

Një kërkesë të tillë e kanë përsëritur edhe administratori i Kosovës, Michael Steiner dhe kryeministri Bajram Rexhepi të cilët pohuan se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj sot qëndrojnë krah për krah me amerikanët dhe janë të përkushtuar në mbështetjen e tyre ndaj SHBA-së në luftën kundër forcave të errëta që kanë sulmuar civilizimin botëror.

Solidarizimin me popullin amerikan e kanë shprehur sot mijëra qytetarë gjithandej Kosovës të cilët kanë bërë homazhe dhe kanë ndezur qirinjë në nderim të viktimave të 11 shtatorit.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës sot në Shtabin e Përgjithshëm dhe në të gjitha njësitë e tyre janë rreshtuar para flamurit amerikan dhe kanë mbajtur tre minuta heshtjeje në nderim të viktimave. Edhe në orët e mbrëmjes janë paralajmëruar veprimtari të tjera në shenjë solidariteti me Shtetet e Bashkuara që për shqiptarët e Kosovës mbeten miku më i madh i tyre.//kk

XS
SM
MD
LG