Lidhje

Shqipëria përkujton 11 Shtatorin - 2002-09-11


Autoritetet shtetërore dhe organizata të ndryshme joqeveritare zhvilluan në Tiranë disa veprimtari përkujtimore në njëvjetorin e sulmeve terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara.

Ministria e Mbrojtjes organizoi sot një ceremoni ushtarake në nderim të flamujve shqiptarë dhe amerikanë në orët e para të ditës. Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko dhe zëvendësambasadorja e SHBA në Tiranë, Elisabeth Shelton, nderuan me një minutë heshtje kujtimin e viktimave të sulmeve tragjike në Nju Jork dhe Uashington, gjatë një ceremoni zyrtare në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa banda muzikore e ushtrisë luajti himnin e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë.

Teatri i Operas organizoi dje një koncert muzikor me pjesët më të mira të kompozitorëve amerikanë, shqiptarë dhe europianë në përkujtim të 11 shtatorit.

Drejtuesit më të lartë të qeverisë, diplomatë amerikanë dhe intelektualë të njohur morën pjesë sot në mbrëmje në një veprimtari të posaçme në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku krahas fjalimeve të rastit, aty u ekspozohen faqet e para të shtypit amerikan dhe atij shqiptar, të cilat pasqyronin pasojat e sulmeve terroriste mbi Pentagon dhe kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.

Një grup studiuesish e profesorësh të universitetit dhe gazetarë promovuan pasdite librin e sapobotuar me përmbledhje komentesh dhe analizash me titull “Shqiptaret ne Shtepine e Bardhe në anën e Qytetërimit”.

Një vit më parë Shqipëria mbajti një ditë zie kombëtare dhe mijëra njërëz u mblodhën në sheshin “Skënderbe”, ku flamuri shqiptar ishte ulur në gjysëm shtizë.//kk

XS
SM
MD
LG