Lidhje

Bush: Amerika ka si detyrim të krijojë një botë të lirë dhe të sigurtë - 2002-09-12


Në fjalimin e tij mbrëmë, në ishullin Ellis të New Yorkut, presidenti Bush tha se është e dhimbshme për një komb të çlirohet nga ankthi i 11 shtatorit të vitit të kaluar, se gjatë këtij viti amerikanët janë përpjekur të pranojnë faktin se vendi i tyre ndodhet para rrezikut të sulmeve nga armiq të vendosur.

”Për ata që humbën të dashurit e tyre, tha presidenti, ky vit ka qenë një vit pikëllimi, boshllëku, vit i lindjes së fëmijëve që kurrë nuk do të njohin baballarët e tyre. Për personelin tonë ushtarak, ka qenë një vit sakrifice dhe shërbimi larg shtëpive të tyre.”

Me statujën e lirisë në sfond, presidenti tha se sulmet e vitit të kaluar e kanë ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si amerikanët e vlerësojnë jetën e tyre dhe si vendosin çfarë është e rëndësishme.

”11 shtatori i vitit 2001 do të jetë gjithmonë i ngulitur në jetën tonë. Humbja e kaq shumë jetëve na bëri që të shqyrtojmë jetën tonë. Kjo ngjarje na kujtoi të gjithëve se jemi në këtë botë përkohësisht, dhe se këto ditë të kufizuara duhet të mbushen me gjëra që jetojnë gjatë dhe që janë kuptimplote, si dashuria për familjet tona, për fqinjët tanë dhe për vendin tonë, tha presidenti”.

Presidenti Bush tha se për të nderuar ata që humbën jetën, monumenti më i qëndrueshëm do të ishte një botë e lirë dhe e sigurtë. Presidenti tha se ai nuk synon të mos përfillë apo falë atë që ai e quan si ”banda më e fundit në histori e fanatikëve që përpiqen të ngjiten në fuqi nëpërmjet vrasjeve”.

Pa përmendur drejtpërdrejt Irakun, presidenti përsëriti thirrjen e tij për të vepruar kundër atyre që kërcënojnë botën me armë biologjike dhe kimike.

”Ne, tha presidenti Bush, nuk do të lejojmë asnjë terrorist apo tiran që të kërcënojë qytetërimin me armë të shkatërrimit në masë. Sot dhe në të ardhmen, amerikanët do të jetojnë si një popull i lirë, jo në frikë, dhe kurrë nën mëshirën e ndonjë komploti apo fuqie të huaj”.

Presidenti u përpoq përsëri të sigurojë aleatët arabë se lufta kundër terrorizmit, dhe thirrja e tij për veprim kundër udhëheqësit irakian, nuk është luftë kundër islamit. Ai tha se amerikanë e respektojnë besimin islamik ndërkohë që luftojnë ata që e kanë përdhosur atë. Presidenti Bush tha se kombi po lufton jo që të imponojë dëshirat e tij, por që të mbrojë veten dhe të përhapë lirinë e bekuar.

XS
SM
MD
LG