Lidhje

SHBA shpreson për pjesëmarrje të gjerë në zgjedhje - 2002-09-13


Maqedonia mbyll sot fushatën e zgjedhjeve parlamentare të së dielës, të cilat konsiderohen nga bashkësia ndërkombëtare si një provë për të ardhmen e këtij vendi, ku gjendja është ende e brishtë. Ambasadori amerikan në Shkup, Laurence Buttler në një intervistë dhënë sot Zërit të Amerikës, bëri të ditur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për këto votime dhe se çfarë shpresojnë ato të arrihet me to.

Zoti Buttler tha se megjithë disa incidente gjatë periudhës së fushatës, ka patur më pak akte dhune dhe frikësimi deri tani në periudhën parazgjedhore, sesa në zgjedhjet e 4-5 viteve të fundit.

Ambasadori amerikan shtoi se bashkësia ndërkombëtare, në bashkëpunim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve ka punuar shumë për të përgatitur sistemin zgjdhor dhe se ato mund të jenë zgjedhjet më të mira që janë mbajtur ndonjëherë në Maqedoni.

Ambasadori shpreson për një pjesëmarrje të gjerë në zgjedhjet e së dielës dhe shtoi se ai konsideron pjesëmarrje të mirë, 65 për qind ose më shumë.

”Shumë gjëra varen nga këto zgjedhje, në kuptimin që votohet për të ardhmen e Maqedonisë, si një shtet sovran dhe me territor të paprekur, një shtet ku personat me prejardhje maqedonase, shqiptare apo pakicave të tjera të mund të japin një kontribut të vlefshëm për mirëqenien dhe përparimin e përgjithshëm të vendit”, tha zoti Buttler.

Ai u bëri thirrje votuesve që të shkojnë të hedhin votat e tyre në rreth 3 mijë qendrat e votimit. Mbi 800 vëzhgues ndërkombëtare, përveç vëzhguesve vendas që do të jenë në këto qendra për të garantuar që votimet të zhvillohen pa incidente.

Zoti Buttler shprehu bindjen se zëri i qytetarëve do të dëgjohet dhe se vullneti i tyre do të pasqyrohet në përpjekjet për formimin e qeverisë së re.

Ndër sfidat që u dalin fituesve në zgjedhje, zoti Buttler përmend angazhimet që kanë marrë partitë në fushatë: vende pune, mirëqenia e përgjithshme e vendit, infrastruktura, krijimi i një klime të mirë për investimet e huaja dhe përmirësimi i sistemit arsimor.

Zoti Buttler tha gjithashtu se shteti ligjor duhet të forcohet në mënyrë që elementet kriminale të mos lejohen që mbizotërojnë mbi ligjin dhe rendin dhe të frikësojnë qytetarët e thjeshtë.

”Ne jemi optimistë për të ardhmen e Maqedonisë, unë jam jashtëzakonisht opitimit për aftësitë e udhëheqësve politikë me të cilët kam patur marrëdhënie. Sigurisht që disa njerëz do të humbin në zgjedhjet e së dielës dhe disa do të fitojnë. Procesi demokratik i Maqedonisë ka treguar se e merr veten shpejt dhe këto zgjedhje do të demonstrojnë sesa shanse ka për sukses”, tha ambasadori Buttler.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 100 vëzhgues, përveç një ekipi me 45 vëzhgues nga ambasada dhe 50 milionë dollarëve që i kanë dhënë Maqedonisë gjatë vitit të kaluar.//kk

XS
SM
MD
LG