Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni - 2002-09-15


Në pjesën më të madhe të Maqedonisë, e shtuna para zgjedhjeve ishte e qetë. Vetëm rreth Tetovës, në pjesën veriperëndimore të vendit, si pasojë e një dhune të rastit, një person i armatosur u vra në orët e para të mëngjesit, pas një përplasjeje me policinë.

Në Ohër shqiptarë e maqedonas kanë bashkëjetuar prej kohësh pa dhunë të hapur. Pranë qendrës së qytetit, një grup njerëzish që merrnin pjesë në një ceremoni martese ciganësh u derdhën nëpër rrugë, por njerëzit me makina nuk e humbën gjakftohtësinë derisa rruga u hap përsëri.

Disa shqiptarë me të cilët bisedova më thanë pa ngurim se do të votojnë për partinë e Ali Ahmetit, udhëheqësit të kryengritjes së vitit të kaluar, i cili tani ka marrë rolin e një paqeruajtësi. Shqiptarët nuk përbëjnë më shumë se 15 përqind të popullsisë së qytetit të Ohrit, që ndonjëherë e kanë quajtur si një nga pikat më të bukura të Evropës.

Buzë liqenit, në një kafene, që ngrihet mbi një shkëmb nën një kishë ortodokse disashekullore, takoj një grua maqedonase, e cila shqetësohet kur i përmend emrin e Ali Ahmetit. Ai, ngul këmbë gruaja, është një terrorist dhe kriminel, që nuk lejohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara.Ajo nuk mund ta përfytyrojë partinë e Ali Ahmetit, si pjesëtare të një qeverie të re.

Megjithatë disa analistë presin që Ali Ahmeti të luajë rol të rëndësishëm në parlamentin e ardhshëm. Partitë shqiptare pritet të fitojnë të paktën një të katërtën e 120 vendeve në parlament, ndërkohë që asnjëra nga dy partitë rivale maqedonase nuk pritet të fitojë shumicën absolute.

Këtu në Ohër kupolat e kishave të vjetra ortodokse shkrihen ëmbël me minaretë e larta të lëna që nga koha kur ky rajon qeverisej nga Turqia.

XS
SM
MD
LG