Lidhje

Sekretari i jashtëm britanik, Strou: - 2002-09-15


Sekretari i jashtëm britanik, Xhek Strou, thotë se po mbaron afati për udhëheqësin irakian, Sadam Husein, që të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë ose përndryshe do të ndeshet me një ndërhyrje ushtarake për përmbysjen e tij. Në një intervistë, zoti Strou tha sot se udhëheqësi irakian ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë: ose të marrë parasysh shqetësimet ndërkombëtare rreth programit të tij të armëve bërthamore, kimike dhe biologjike, ose regjimi i tij do të marrë fund. Ndërkohë, këshilltarja amerikane për çështjet e sigurimit kombëtar Kondoliza Rajs tha për rrjetin televiziv Fox se ekzistojnë lidhje midis rrjetit terrorist al-Kaida të Osama Bin Ladenit dhe Irakut. Megjithatë, ajo shtoi se, tani për tani, nuk ka prova të drejtpërdrejta që e lidhin Sadam Huseinin me sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit të kaluar kundër Shteteve të Bashkuara. Dje, Ministrat e Jashtëm të 22 vendeve anëtare të Lidhjes Arabe, që morën pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i bënë thirrje Irakut që t’i pranojë përsëri inspektorët e armëve të Kombeve të Bashkuara. Duke folur pas bisedimeve në New York me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, Ministri i Jashtëm i Libanit, Mahmud Hamud, tha se i është thënë Irakut që kthimi i inspektorëve do të sjellë paqe dhe stabilitet për popullin e tij. Zoti Anan u bëri thirrje Ministrave të Jashtëm të vendeve të Lidhjes Arabe që të përpiqen për kthimin e inspektorëve si mënyrë për shmangjen e një konflikti tjetër me pasoja në Lindjen e Mesme. //az

XS
SM
MD
LG