Lidhje

Ali Ahmeti, i gatshëm për koalicion me Cërvenkovskin - 2002-09-16


Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti shprehu sot gadishmërinë për të marrë pjesë në koalicion qeveritar me partinë Bashkimi Socialdemokrat të zotit Branko Cërvenkovski.

Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se që para zgjedhjeve partia e tij kishte thënë se do të pranonte të hynte në koalicion me partinë maqedonase që do të fitonte shumicën në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën të dielën në Maqedoni.

Bashkimi Demokratik për Integrim, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ka fituar 11 për qind të votave, shifër kjo që mbështetet në numërimin e 57 për qind të numrit të përgjithshëm të votave.

Zoti Ahmeti tha se ka fituar në zonën e tij, por nuk dha një përgjigje të prerë për pjesëmarrjen e tij në parlamentin e ardhshëm.

Ai shtoi se shokët dhe drejtuesit e partisë së tij do ta vendosin se ku mund ta japë kontributin më të madh, si kryetar i partisë, apo si deputet.

I pyetur nëse do të kishte vështirësi për të fituar besimin e maqedonasve një pjesë e të cilëve e konsiderojnë si terrorist, zoti Ahmeti tha: ”Nuk duhet t’i kthehemi së kaluarës së hidhur”. Ai theksoi se atë të kaluar nuk e kanë shkaktuar shqiptarët, por popujt fqinjë si serbët, maqedonasit dhe malazezët që kanë mohuar të drejtat e shqiptarëve.

Kryetari i BDI-së nuk pranoi që të kishte patur tensione mes partive shqiptare para zgjedhjeve, por vetëm zënka të vogla. Ai tha se partia e tij është në favor të bashkëpunimit dhe se do të bëjë përpjekje që partitë shqiptare të dalin me një qëndrim unik.//kk

XS
SM
MD
LG