Lidhje

Kofi Annan: Iraku bie dakord për kthimin pa kushte të inspektorëve të armëve - 2002-09-16


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, njoftoi se Iraku ka rënë dakord për kthimin pa kushte të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara për armët, por Shtëpia e Bardhë shprehu skepticizëm.

Zoti Annan tha se vendimi i Irakut u transmetua mbrëmë vonë me anë të një letre të udhëheqjes irakiane, që iu dorëzua atij nga ministri i jashtëm irakian, Naxhi Sabri.

Në letër thuhet se duke lejuar inspektorët, Iraku dëshiron të heqë çdo dyshim se ende ka armë të shkatërrimit në masë. Në letër Iraku kërkon gjithashtu që Këshilli i Sigurimit të respektojë integritetin e tij teritorial.

Zoti Annan tha se Iraku ka rënë dakord për fillimin menjëherë të bisedimeve rreth hollësive të kthimit të inspektorëve.

Shtëpia e Bardhë thotë se e ka bërë të qartë që nuk do të hyjë në negociata me Sadam Huseinin. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e quajti letrën e Irakut si një taktikë, që synon të shmangë masa të ashpra nga Kombet e Bashkuara. Zëdhënësi bëri thirrje gjithashtu për një rezolutë të re dhe të efektshme, sipas fjalëve të tij, të Këshillit të Sigurimit, që do të përqëndrohej në kërcënimin që përbën udhëheqësi irakian.

Sekretari i Përgjithshëm Annan tha se do tia paraqesë letrën të gjithë Këshillit të Sigurimit dhe krye-inspektorit të armëve, Hans Blix. Së bashku ata do të vendosin rreth hapit të ardhshëm.

Në Irak nuk ka pasur inspektime armësh nga Kombet e Bashkuara që prej vitit 1998, kur Bagdadi dëboi inspektorët dhe nuk i lejoi ata të kthehen. Shumë diplomatë amerikanë dhe perëndimorë mendojnë se gjatë 4 vjetëve të fundit Iraku ka ndërtuar më shumë armë kimike dhe biologjike dhe ka shtuar përpjekjet për prodhimin e një bombe bërthamore. //ze

XS
SM
MD
LG