Lidhje

Vëzhguesit perëndimorë thonë se votimet në Maqedoni ishin të lira e të drejta - 2002-09-17


Pas fitores së thellë të të majtëve të moderuar në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, vëzhguesit perëndimorë po thonë se votimet ishin të lira, të drejta dhe një hap përpara drejt qendrueshmërisë në Ballkan.

Një diplomat perëndimor i cilësoi zgjedhjet si një arritje mahnitëse. Jo vetëm votimet u zhvilluan në përgjithësi pa incidente, por ata që humbën e bënë të qartë se do ta dorëzojnë pushtetin në përputhje me dëshirat e votuesve.

Finlandezi Kimmo Kiljunen, i cili kryeson një grup të madh vëzhguesish ndërkombëtarë, tha se Maqedonia e kaloi provën me sukses.

“Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni , tha zoti Kiljunen, u zhvilluan gjërësisht brenda kërkesave dhe standardeve të OSBE-së për zgjedhje të lira dhe të drejta.”

Zoti Kiljunen thotë se ekipi i OSBE-së prej 800 vëzhguesish të zgjedhjeve, është më i madhi që organizata ka dërguar ndonjëherë.

Rezultatet u përshëndetën edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Natos, George Robertson, i cili tha se Maqedonia hodhi një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur.

Në Maqedoni vazhdojnë të qendrojnë akoma disa qindra trupa të Natos. Ato u dërguan aty vitin e kalur për të mbikëqyrur një armëpushim që i dha fund kryengritjes së shqiptarëve të Maqedonisë.

David Williams, analist amerikan i opinionit publik, zhvilloi për herë të parë në Maqedoni anketa me votuesit pasi dilnin nga qendrat e votimit.

Ai ishte i pari që tha se social-demokratët e majtë do të fitonin shumicën e vendeve në parlament, duke u zënë vendin kështu nacionalistëve të krahut të djathtë, që kanë qenë në pushtet për katër vjet.

Zoti Wlliams thotë se anketat me votuesit që dilnin nga qendrat e votimit, tregojnë se për 40 përqind të tyre shqetësim kryesor ishin paqja dhe stabiliteti.

“ Për zhvillimin ekonomik u shprehën 16 përqind e të anketuarve, 10 përqind ishin të interesuar për hapjen e vendeve të reja të punës. 2 përqind ishin për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, 4 përqind për zbatimin e marrëveshjes së paqes dhe për 11 përqind të të anketuarve shqetësim kryesor ishte ulja e nivelit të varfërisë.”

Qeveria e re pritet të formohet javën e ardhshme. Teorikisht social-demokratët dhe aleatët e tyre mund ta qeverisin vetë vendin, por sipas vëzhguesve një gjë e tillë nuk ka të ngjarë.

Ata me siguri do t’i shtrijnë dorën partisë së re të shqiptarëve të Maqedonisë, Bashkimi për Integrim Demokratik, të udhëhequr nga kryengritësit e vitit të kaluar, e cila mënjanoi rivalen e saj dhe mund të ketë 14 vende në parlamentin prej 120 vendesh. //ze

XS
SM
MD
LG