Lidhje

Maqedoni: Ambasadori amerikan kritikon Boshkovskin - 2002-09-19


Ambasadori amerikan në Maqedoni Lawrence Butler kritikoi qëndrimin e ministrit të brendshëm maqedonas Lube Boshkovski i cili akuzon KSHZ për parregullsi në procedurat zgjedhore.

Ambasadori amerikan tha se ministri maqedonas i brendshëm Lube Boshkovski i shoqëruar nga disa zyrtarë të policisë kishte mbrëmë një takim të gjatë me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe se e akuzoi komisionin për parregullsi të procedurave zgjedhore.

Ambasada amerikane kishte 40 ekipe që vëzhguan zgjedhjet, krahas tetëqind vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë dhe parregullsia e vetme, sipas ambasadorit amerikan, ishte përfshirja në procesin e votimit të idhtarëve të partisë VMRO-DPMN në një fshat të quajtur Velgosht, por që ky incident nuk ka pasur asnjë ndikim.

Zoti Butler tha se këto ishin zgjedhjet më të mira që ai ka parë ndonjëherë. “Vullneti i zgjedhësve u shpreh në mënyrë të qartë ndërsa gjërat e tjera janë detaje të cilat jam i bindur se do të zgjidhen”, ka nënvizuar ambasadori amerikan Butler.

Ai shprehu habi se si VMRO-DPMNE menjëherë zbuloi se ka pasur 400.000 fletëvotime të djegura. “Për këtë çështje është dhënë përgjigjia javën e kaluar”, thekson zoti Butler, duke lënë të kuptohet se ato fletëvotiome nuk u dogjën por u shkatërruan për shkak se kishte probleme me to.

Ai thekson se zgjedhjet kanë përfunduar por KSHZ duhet ta respektojë ligjin. Ka një periudhë për ankesa, ka theksuar ambasadori amerikan. Ai ka vënë në dukje besimin që ka komuniteti ndërkombëtar në këtë komision ku përfaqësohen të gjitha partitë serioze.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, nxënës maqedonas të një shkolle ku mësojnë edhe nxënës shqiptarë kanë protestuar sot para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar largimin e nxënësve shqiptarë nga kjo shkollë.

Shkolla Cvetan Dimov ndodhet në një lagje etnikisht të përzier.

XS
SM
MD
LG