Lidhje

Vështrim mbi zgjedhjet presidenciale të Serbisë - 2002-09-19


Dy vjet pasi një revoltë popullore detyroi Sllobodan Millosheviçin të largohej nga pushteti, Serbia po përgatitet për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në fund të këtij muaji.

Dy kandidatët kryesorë janë Miroljub Labus, zëvendës-kryeministri i ngarkuar me përgjegjësinë e reformave ekonomike në Jugosllavi dhe Vojisllav Koshtunica, presidenti i tanishëm i federatës jugosllave, e cila për të paktën edhe për pak muaj do të jetë nyja lidhëse e Serbisë me Malin e Zi.

Në një të ardhme të afërt, ndoshta brenda këtij viti, Jugosllavia do të shndërrohet në një federatë më të lirshme që do të quhet Serbia dhe Mali i Zi. Sapo të realizohet kjo, zoti Koshtunica nuk do të shërbejë më në këtë post.

Ka edhe disa kandidatë të tjerë, por analistët thonë se vetëm zotërinjtë Koshtunica dhe Labus kanë shans real për të fituar. Zgjedhjet do të zhvillohen më 29 shtator. Nëse asnjë kandidat nuk fiton shumicën, dy javë më pas do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve që sigurojnë numrin më të madh të votave në raundin e parë.

Anketat e opinionit publik tregojnë se zoti Labus, për momentin, ka një epërsi të lehtë. Fushata e tij përqendrohet në rëndësinë e zbatimit të shpejtë të reformave të tregut dhe në nevojën e privatizimit e të tërheqjes së investimeve nga jashtë. Zoti Labus thekson gjithashtu rëndësinë e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Zoti Koshtunica, i cili ka qenë politikani me popullaritetin më të madh në Serbi, tregohet më i kujdesshëm përsa u përket reformave ekonomike. Ai i mbështet ato, por thotë se duhet bërë më tepër në drejtim të ruajtjes së një sistemi të sigurisë sociale për të varfërit. Zoti Koshtunica është nacionalist, që sheh me dyshim Gjykatën e Hagës, ku ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, po gjykohet për krime lufte.

Ka edhe kandidatë të tjerë që kanë zgjuar interes në mbarë vendin. Mes tyre janë ultra-nacionalisti Vojisllav Sheshel dhe Nebojsha Pavkoviç, i cili ka qenë në krye të ushtrisë jugosllave gjatë konfliktit në Kosovës në vitin 1999. Sllobodan Millosheviçi u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që të votojnë për zotin Sheshel.

Por ekonomia dhe jo nacionalizmi serb duket se do të jetë mbizotëruese në këto zgjedhje. Duke marrë para sysh se paga mesatare e punëtorëve në Serbi është vetëm rreth 150 dollarë në muaj, nuk është e papritur që ekonomia të jetë çështja kryesore. //kk

XS
SM
MD
LG