Lidhje

E ardhmja e Kosovës duhet të zgjidhet me kompromis - 2002-09-19


Me angazhimin në luften kundër terrorizmit, Shtetet e Bashkuara po perpiqen të pergatisin terrenin për një tërheqje të mundshme nga Ballkani. Ketu përfshihet edhe Kosova. Por sipas analistëve terheqja nuk do të bëhet para sqarimit të statusit te Kosoves. Edhe per vetë statusin e Kosovës mes analistëve ka mendime te ndryshme. Një pjesë thonë se Serbia e humbi përfundimisht Kosovën, por ka të tjerë që thonë se ekziston mundësia e gjetjes së nje formule të bashkejetese mes Serbise dhe Kosoves. Njeri prej tyre, John Zavales punon ne Qendren per Politiken Perendimore, ketu ne Washington dhe dha një intervistë për Zërin e Amerikës.

VOA: Zoti Zavales, por flitet shumë kohët e fundit në qarqet diplomatike në Shtetet e Bashkuara për një politikë daljeje nga Ballkani dhe Kosova, në mënyrë që të përqëndrohet vëmendja tek përparësitë e tjera më të rëndësishme amerikane, si terrorizmi. A përfshin kjo një diskutim për më shumë kompetenca për autoritetet vendase dhe për statusin final të Kosovës?

JZ: Natyrisht, pas 11 shtatorit shumë përparësi kanë ndryshuar për vendim-marrësit amerikanë. Besoj se administrata tani po kërkon një mënyrë për të filluar pakësimin e pranisë politike dhe ushtarake amerikane në Ballkan dhe t’ia kalojë atë evropianëve. Dhe mendoj që po kuptohet që një lloj zgjidhjeje afatgjatë për Kosovën është thelbësore për këtë qëllim. Përsa i takon Kosovës, mendoj se ekziston ideja që një zgjidhje brenda parametrave të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, do të siguronte zgjidhjen më të mirë. Sigurisht që kjo do të ngjallte kundërshtime në Kosovë, sepse do të thotë kthimin në një formë të sovranitetit jugosllav aty. Por do të ishte një formë shumë e ndryshme nga ajo e viteve të Millosheviçit dhe për këtë do të duhej që Jugosllavia të binte dakord për të paktën formën e autonomisë që ekzistonte para se ta hiqte Millosheviçi dhe të pranonte vëzhgim të vazhdueshëm ndërkombëtar të nivelit të lartë për vitet e ardhshme. Këshilltarë evropianë do të duhej të diskutonin me përfaqësues të të gjitha bashkësive dhe të dilnin me disa modele të përshtatshme, diçka e tillë si kantonet në Zvicër, apo rajone brenda disa vendeve të Bashkimit Evropian. Po përsa i takon Shteteve të Bashkuara mendoj se sa më shpejt të fillojë një proces i tillë, aq më mirë. Por mendoj se ka një nivel zhgënjimi në Kosovë, ndërsa po fillohet kuptohet që nëse dikur pavarësia e ardhshme merrej si e mirëqenë, tani po shihet se bashkësia ndërkombëtare nuk po sheh në atë drejtim.

VOA: Por kjo do të thoshte një lloj autonomie si ajo që Kosova kishte në kohën e Titos. Pse mendoni se shqiptarët do ta pranonin një lloj zgjidhjeje të tillë, kur nuk ishin dakord në atë kohë me të?

JZ: Pikërisht për këtë arsye bashkësia ndërkombëtare nuk mund të largohet tani shpejt nga Kosova, dhe për këtë arsye nevojiten ende për disa kohë vëzhguesit e Bashkimin Evropian si edhe forcat e KFOR-it dhe veçanërisht ato amerikane: për të parandaluar një lloj rrëshqitjeje tek një krizë konfrontimi etnik. Aty duhet një lloj qëndrimi kompromisi, që do të kërkonte që gjithkush të hiqte dorë nga kërkesat maksimale, gjë që ka funksionuar për pjesën tjetër të Evropës. Sigurisht që nëse nesër organizohej një referendum, shqiptarët në Kosovë do të votonin për pavarësinë.Besoj se një nga pyetjet së cilës duhet t’i përgjigjemi është se cili do të ishte efekti në vendet e tjera të rajonit. Çfarë argumenti mund të përdorej për të mbajtur boshnjakët, serbët dhe kroatët në Bosnje? Pse ata të mos kishin të drejtën për një referendum të tillë? Cilat do të ishin pasojat e përpjekjeve për të mbajur bashkë Serbinë dhe Malin e Zi, ose efektet në Maqedoni dhe vetë Shqipërinë duke ditur se ka disa lidhje mes Veriut të Shqipërisë dhe Kosovës?

VOA: Zgjedhjet presidenciale në Serbi zhvillohen së shpejti dhe mes kandidatëve janë presidenti aktual i Jugosllavisë, Kostunica, ekonomisti liberal Labus dhe ultra-radikali Sheshel. Cili mendoni se ka shanse më shumë për fitore dhe çfarë sinjali do të përçonte tek perëndimi rezultati i këtyre zgjedhjeve, si tregues i prirjes politike aktuale të popullir serb?

JZ: Deri tani, nuk është për t’u çuditur që Kostunica dhe Labus kryesojnë në anketa. Në përgjithësi, për çka është i interesuar perëndimi, këta kandidatë po flasin drejt, përsa i takon bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës, për reformën ekonomike. Sigurisht që ka disa ndryshime në çështjet ku e vënë më shumë theksin. Nga ana tjetër, nëse Sheshel arrin një pozicion të fuqishëm, qoftë nëse fiton, por edhe nëse arrin të marrë një përqindje të lartë votash, do të konsiderohej si një prirje shumë shqetësuese në perëndim. Ne duam të shohim një përparim të vazhdueshëm të Serbisë, apo Jugosllavisë, çfarëdo statusi të ketë ajo më vonë, në varësi të negociatave me Malin e Zi, një demokraci perëndimore.

XS
SM
MD
LG