Lidhje

Xhani: SIDA në Shqipëri nën kontroll - 2002-09-19


Ministri i Shëndetësisë në Shqipëri, Mustafa Xhani thotë se problemi i Sidës në Shqipëri, nuk është alarmant për momentin, por pranoi se ekziston rreziku potencial për përhapjen e kësaj epidemie.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Xhani tha se mosha e re e popullsisë në Shqipëri, migrimi dhe emigracioni, dukuria e prostitucionit, legjislacioni i pamjaftueshëm dhe moszbatimi i atij ekzistues, janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në përhapjen e Sidës.

Ministri shtoi se zyrtarisht në Shqipëri janë 72 persona siero-pozitivë.

Një nga shqetësimet që përmendi zoti Xhani ishte gabimi që bëhet rëndom duke e trajtuar Sidën si një problem mjekësor dhe jo në shumëanshmërinë e saj.

Ai tha se në Shqipëri duhet bërë më shumë për t’i bërë të sëmurët me SIDA, të ndjehen të pranuar nga shoqëria.

Në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara thuhet se epidemia e Sidës po përhapet me shpejtësi më të madhe në Evropën Lindore sesa kudo tjetër në botë.

UNICEF-i publikoi një raport dje, ku thuhej se përqindja e rasteve të infektimit me virusin HIV atje është rritur më shumë se dy herë që nga viti 1998.

Në raport vlerësohet se 1 milion njerëz në Evropën Lindore dhe republikat ish-sovjetike ishin të infektuar me virusin HIV në vitin 2 mijë e një dhe se shumica ishin nën 30 vjeç. //kk

XS
SM
MD
LG