Lidhje

Rryma jodemokratike në Kazakistan - 2002-09-20


Respektimi i të drejtave të njeriut është një element i nevojshëm i luftës kundër terrorizmit dhe krijimit të gjendjes së qëndrueshme në Azinë Qendrore. Që në fillim të luftës kundër Al-Kaidës dhe terroristëve të tjerë, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se gjendja e sigurisë nuk mund të arrihet pa reforma politike dhe ekonomike; dhe asnjë prej tyre nuk është e mundur të arrihet pa respektimin e të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst, ngjarjet e kohëve të fundit në Kazakistan janë tepër shqetësuese. Në këtë vend janë zhvilluar procese gjyqësore për korrupsionin dhe janë dënuar udhëheqës politikë. Mjetet e shtypit janë kërcënuar për raportimin në lidhje me veprimtarinë e opozitës, si dhe për mashtrimet financiare, për të cilat akuzohen zyrtarë të lartë në Kazakistan.

Një prej tyre, është rasti i gazetarit të pavarur Sergey Duvanov. Më 28 gusht, zotin Duvanov e rrahën tre persona të panjohur jashtë apartamentit të tij në Almaty. Sergey Duvanov është një gazetar i njohur, që ka shkruar artikuj kritik për korrupsionin qeveritar. Tani ai po hetohet në lidhje me ”fyerje të nderit dhe dinjitetit të presidentit” një akuzë kjo që e lejon qeverinë të arrestojë çdo njeri që guxon ta kritikojë atë.

Çrrënjosja e korrupsionit është e domosdoshme për një qeverisje të mirë, si dhe për zbatimin e ligjit. Por qeveritë nuk duhet të përdorin akuzat e korrupsionit si mjet për ndjekjen e kundërshtarëve politikë. Ky duket se është objektivi i qeverisë së Kazakistanit, që ve në shënjestër për persekutim pjesëtarë të opozitës politike. Këtu mund të përmendim dy themeluesit e lëvizjes ”Zgjedhje Demokratike për Kazakistanin”, Galymzhan Zhkiyanov dhe Mukhtar Ablyazov.

Në një tjetër rast, parlamenti i Kazakistanit miratoi një ligj që e vështirëson më tepër regjistrimin e partive politike. Numri minimal i anëtarëve të partisë për t’u regjistruar u rrit nga tre mijë në 50 mijë. Si rezultat, shumë parti opozitare të Kazakistanit mund të skualifikohen nga pjesëmarrja në procesin politik.

Respektimi i të drejtave të të gjithë kazakistanasve për pjesëmarrje në zgjedhje demokratike është një kërkesë themelore për qëndrueshmërinë e vendit. Tani ka ardhur koha që qeveria e Kazakistanit ta ndryshojë qëndrimin e saj jo-demokratik dhe të përkushtohet për mbrojtjen dhe çuarjen përpara të parimeve të pluralizmit politik, lirisë së fjalës dhe të shtypit.

XS
SM
MD
LG