Lidhje

Mbyllen bisedimet shqiptaro-jugosllave - 2002-09-20


Sot në Tiranë u mbyllën bisedimet e ekspertëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë për marrëveshjen e tregtisë së lirë, duke hapur kështu rrugën e nënshkrimit në nivele politike për të bërë të mundur më pas hyrjen në fuqi të saj. Mallrat që do të shkëmbehen mes dy vendeve dhe që përfshihen në këtë marrëveshje, janë ndarë në tri kategori. Kështu do të ketë hapje të menjëhershme të tregut për prodhimet industriale, ndërsa me koncesione do të trajtohen produktet bujqësore frutat dhe zrazavatet, si dhe konjaku, uji dhe pijet freskuese.

Një liberalizim të shkallëzuar tarifor do të ketë për prodhimet e drurit, ato plastike, konfeksionet dhe prodhimet tekstile, të cilat merren kështu në mbrojtje. Shkallëzimi i tarifave për këto produkte do të realizohet në 5 vjet.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Maqedoninë, e cila ka hyrë tashmë edhe në fuqi. Ndërsa javën e ardhshme do të firmoset me Kroacinë dhe në muajin tetor nisin bisedimet edhe me Rumaninë dhe Bullgarinë, në fund të këtij muaji ato do të zhvillohen me Bosnjë Hercegovinën.

Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë janë pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka me Bashkimin Evropian për procesin e Asocim-Stabilizimit. Nga ana e tyre komuniteti i biznesit ka kërkuar nga shteti që të jetë i kujdesshëm në hartimin e marrëveshjeve të Tregtisë në mënyrë që të mos ketë gabime të cilat mund t’i kushtojnë biznesit shqiptar. Kjo edhe për faktin se në Shqipëri nuk eksiztojnë studime apo statistika të qarta për të gjithë gamën e prodhimeve vendase. Marrëveshja me Maqedoninë ishte një shembull i qartë i kësaj situate. Megjithëse ajo është konsideruar si me e studiuara, përsëri disa prodhime po rrezikojnë të falimentojnë. //az

XS
SM
MD
LG