Lidhje

Mosmarrëveshje gjermano-amerikane - 2002-09-21


Një mosmarrëveshje midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të komenteve të një ministreje gjermane, duket se ka dalë në qendër të marrëdhenieve mes dy vendeve, ndërsa nesër në Gjermani zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

Këshilltarja e presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar, Condoleeza Rice, i tha gazetes Financial Times, se marrëdhëniet amerikano-gjermane, sipas fjalëve të saj, janë helmuar, nga komentet e ministres gjermane te drejtësisë Herta Daeubler-Gmelin.

Të enjten, një gazete gjermane e citoi Ministren e Drejtësisë të ketë thënë se “politika e jashtme e zotit Bush synon të largojë vëmendjen e publikut amerikan nga problemet e brendshme”. Më tej ajo është shprehur se ”taktikat e presidentit Bush u ngjajnë atyre që ka përdorur diktatori nazist Adolf Hitleri”. Më pas ministrja tha se komentet e saj ishin marë tërësisht jashtë kontekstit.

Analistët thonë se komentet e ministres, së bashku me kundërshtimin e fortë të kancelarit Schroeder ndaj një sulmi kundër Irakut, i kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet e Amerikës me Gjermaninë.

Të premtën Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, shprehu “zemërimin e thellë” amerikan ndaj komenteve të ministres të njoftuara nga shtypi. Departamenti i Shtetit tha se sekretari Powell mori në telefon homologun e tij gjerman, Joshka Fisher, për t’u ankuar ndaj komenteve të tilla.

Po të premtën kancelari Gerhard Schroeder përmes një letre i kërkoi të falur presidentit Bush. Megjithë kërkimin e ndjesës, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Bush vazhdon ta shohë këtë çështje si një ngjarje shqetësuese. //az

XS
SM
MD
LG