Lidhje

Politika amerikane mbi imigracionin - 2002-09-24


Që nga 11 shtatori i vitit të kaluar, politikat amerikane të imigracionit, të cilat u dhanë mundësi terroristëve që kryen sulmet terroriste të asaj dite, të futeshin në këtë vend me viza afat-shkurtëra, janë bërë objekt shqyrtimesh dhe diskutimesh. Mbi 1 milion njerëz imigrojnë çdo vit në Shtetet e Bashkuara. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, afro 10 për qind e popullsisë së Amerikës ka lindur jashtë Shteteve të Bashkuara. Një e treta e këtyre personave kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara pas vitit 1990.

John Keely i Qendrës për Studime mbi Imigracionin, një organizatë që kërkon kufizimin e numrit të imigrantëve që futen në Shtetet e Bashkuara, thotë se kërcënimi i sulmeve terroriste në të ardhmen e bën më urgjente nevojën për reformimin e politikave të imigracionit:

“Ne kemi një politikë për imigracionin e cila, sipas mendimit tim, nuk funksionon si duhet dhe na bën të dobët nga pikëpamja e sigurimit kombëtar,” thotë zoti Keely.

Analisti i përshëndet disa prej masave të miratuara nga Kongresi gjatë vitit të fundit, me shpresën se do t’i shërbejnë deri në një farë mase rregullimit të imigracionit:

“Këtu përfshihet zbatimi i sistemit të kompiuterizuar të hyrjeve dhe daljeve në pikat e kontrollit kufitar, qoftë tokësor, ajror apo detar,” thotë zoti Keely.

Përveç kësaj, shton ai, qeveria mund t’u mohojë kërkesën për vizë të përkohshme shtetasve të vendeve që Departamenti i Shtetit i ka njëjtësuar si përkrahëse të terrorizmit:

“Ndër to përfshihen Sudani, Libia, Siria, Iraku dhe Irani. Nuk mendoj se këtu ka ndonjë gjë për t’u çuditur. Nuk shoh ndonjë arsye përse Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan duhet të lejojnë të futen në këtë vend individë, qeveritë e të cilëve zyrtarisht mbështesin terrorizmin,” thekson analisti John Keely.

Angela Kelley, zëvendës-drejtoresh e Forumit Kombëtar për Imigracionin, një organizatë pro imigracionit, thotë se pavarësisht nga këto masa, politikat mbeten në përgjithësi të njëjta me ato që ekzistonin një vit më parë:

“Politikat tona të imigracionit, thotë zonja Kelley, bazohen në bashkimin familjar, pra nëse dikush ka lidhje familjare, mund të vijë në mënyrë të ligjshme dhe të jetojë përherë në Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk ka ndryshuar. Politikat e imigracionit bazohen gjithashtu edhe në tërheqjen e punonjësve të huaj, as kjo nuk ka ndryshuar. Një tjetër kategori janë refugjatët ose personat e përndjekur. Ligji lidhur me këtë nuk ka ndryshuar, por procesi i pranimit të refugjatëve është ngadalësuar në mënyrë dramatike,” thotë zonja Keely.

Angela Kelley pohon se Kongresi veproi në mënyrë të përgjegjshme kur miratoi Ligjin për Sigurinë e Kufirit dhe Vizat: “Ky ligj shton masat e sigurisë para se njerëzit të futen në këtë vend, duke rritur kontrollin nga ana e personelit që miraton vizat. Në këtë mënyrë do të mbahen sytë hapur jo vetëm për persona që mund të shkelin afatin e vizës, por edhe për terroristë të mundshëm, si dhe për të bashkëpunuar me shoqëritë ajrore për të ditur se kush po hipën në aviona. Në bazë të ligjit, personat që kërkojnë vizë, duhet të kontrollohen paraprakisht nga një zyrë inspektimi, para se të vijnë në Shtetet e Bashkuara,” thekson analistja.

Zoti Keely si edhe zonja Kelley thonë se efektshmëria e politikave të imigracionit varet nga Agjencia për Shërbimet e Imigrimit dhe Natyralizimit, që merret me zbatimin e ligjeve të imigracionit. Të dy ata pohojnë se kjo agjenci ka një ngarkesë tepër të madhe, burime të pamjaftueshme dhe probleme të shumta. Administrata e presidentit Bush ka propozuar ta përfshijë këtë agjenci në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Megjithëse shqetësohet se një hap i tillë në një farë mënyre nënkupton njëjtësimin e të gjithë imigrantëve si terroristë të mundshëm, zonja Kelley mendon se kjo agjenci do të përfitonte nga riorganizim.

John Keely dhe Angela Kelley mendojnë se sfida para Shteteve të Bashkuara është sesi ky vend të bëhet më i sigurt për popullin amerikan, ndërkohë që vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për imigrantët.

XS
SM
MD
LG