Lidhje

A do të jenë të suksesshme përpjekjet për bashkimin e Serbisë me Malin e Zi? - 2002-09-24


Jugosllavia e vjetër ka mbaruar prej mëse një dekade. Partneri i vetëm i Serbisë në atë që ka mbetur nga Jugosllavia është Mali i zi, një rajon i thyer malor me një popullësi gati prej 600 mijë banorësh.

Kur ish presidenti jugosllav, Slobodan Miloseviç, ishte në fuqi në Beograd, fuqitë perendimore inkurajuan një autonomi më të madhe për Malin e Zi. Gjatë viteve të fundit të qeverisjes së Milosheviçit, Mali i Zi ndoqi kryesisht rrugën e tij. Ky vend hoqi njësinë monetare jugosllave dhe përdori në fillim markën gjermane dhe më pas euron. Podgorica u largua nga tregëtia me Beogradin dhe zbatoi një politikë të jashtme të pavarur.

Marsin e kaluar, evropianët ndërmjetësuan një marrëveshje të re bashkimi. Sipas kushteve të së ashtuquajturës marrëveshja e Beogradit, Jugosllavia do të zëvendësohet nga një vend i ri i quajtur Serbia dhe Mali i Zi. Lidhjet midis tyre do të jenë edhe më të lirshme sesa janë tani. Nëse ndonjëra nga palët dëshiron të largohet nga marrëveshja, mund ta bëjë këtë pas tre vjetësh.

Jan Willem Blankert është diplomat i Bashkimit Evropian i ngarkuar me detyrën të vëzhgojë përparimin e marrëveshjes së Beogradit. Ai thotë se serbët dhe malazezët janë këshilluar nga Bashkimi Evropian se është në interesin e tyre afatgjatë të bashkëpunojnë.

"Ne ua kemi bërë të qaerë se në qoftë se doni të integroheni me Evropën, integrimi fillon në vend. Provoni nëpërmjet integrimit të vendit tuaj se mund të integroheni në Bashkimin Evropian. Jeni një vend, kështu që duhet të tregoni një fytyrë, një politikë tregëtare dhe një gjuhë të përbashkët", thotë zoti Blankert.

Presidenti i Jugosllavisë, Vojislav Koshtunica, i cili po heq dorë nga pozita e tanishëm për të konkuruar në garën prresidenciale të Serbisë, thotë se mbajtja e Serbisë dhe e Malit të Zi si një vend të bashkuar është një nga arritjet më të mëdha në dy vjetët e tij si president.

Por pak serbë janë entuziastë rreth marrëveshjes së Beogradit. Reformatorët ekonomikë janë të pakënaqur që marrëveshja lejon Malin e Zi të mbajë sistemin e tij monetar.

Një institucion tjetër i interesuar të parandalojë shpërbërjen e Jugosllavisë së tanishme, është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ajo po luan rol kryesor në rindërtimin e infrastrukturës së Jugosllavisë të shkatërruar nga lufta dhe sanksione. Banka Evropiane është gjithashtu e angazhuar në përpjekjet për integrimin e dy ekonomive jugosllave ashtu siç kërkohet nga Bashkimi Evropian. Henry Russell është përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Jugosllavi.

"Një mënyrë për të ecur përpara është që të dyja palët të hedhin vështrimin drejt integrimit me Evropën. Edhe nëse ato ndjekin rrugë të ndryshme, të dyja kanë dëshirë të hyjnë në radhët e Bashkimit Evropian, kurdo që të jetë e mundur. Dheanëtarësimi në Bashkimin Evropian kërkon harmonizim. Kështu që de fakto harmonizimi bëhet përparësia kryesore për të dyja palët", thotë zoti Russell.

Por analistët janë skeptikë rreth mundësive që Serbia dhe Mali i Zi të mbeten një vend i bashkuar. Negociatorët janë zhytur përsëri në detaje, dhe planet për daljen e një shteti të ri kanë mbetur prapa, megjithëse Bashkimi Evropian thotë se kjo mund të realizohet nga fundi i këtij viti.

//rd//

XS
SM
MD
LG