Lidhje

Qendrimi amerikan ndaj Irakut siguron mbështetje nga disa vendeve të Natos - 2002-09-25


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se ka siguruar mbështetjen nga disa prej vendeve anëtare të Natos për pikëpamjet amerikane ndaj Irakut.

Sekretari Rumsfeld nuk përmendi me emër vendet që po mbështesin qendrimin amerikan. Mirëpo, në fjalën që mbajti në takimin e ministrave të Mbrotjes të vendeve anëtare të Natos në Varshavë, zyrtari amerikan tha se pasi të mësojnë të gjitha faktet që ka Amerika, ai pret që më në fund vendet aleate ta kuptojnë dhe ta mbështesin pikëpamjen amerikane lidhur me kërcënimin që paraqet Iraku.

Shumica e vendeve anëtare të Natos kanë ngurruar të shprehin mbështetjen për politikën amerikane ndaj Irakut. Shumica e tyre ngulin këmbë në miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombev etë Bashkuara para se të ndërmerret çdo veprim.

Ndërkohë, Kina tha se Iraku ka një rast të fundit që të shmang konfliktin ushtarak rreth programit të tij të armëve.

Në një koment të së përditshmes shtetërore China Daily thuhet se Bagdadi duhet të përmbushë premtimet për të lejuar inspektorët ndërkombëtarë të armëve të kërkojnë për armë të ndaluara. Në koment thuhet gjithashtu se mospërmbushja e këtij premtimi do t’i jepte presidentit Bush shkakun që ai kërkon për të sulmuar Irakun.

XS
SM
MD
LG